Cristiano Ronaldo dëshironte t’i bashkohej Arsenalit në merkaton e janarit, dhe do ta ndihmonte skuadrën londineze për ta fituar titullin e Premier Ligës, sipas gazetarit të njohur Piers Morgan.
Superylli portugez ishte lojtar i lirë kur Manchester United i shkëputi kontratën në muajin dhjetor të vitit 2022, pas një interviste bombastike me Piers Morgan.
Skuadra të ndryshme ishin të interesuara për pesë herë fituesin e Topit të Artë asokohe, nga e gjithë Evropa e deri në Shtetet e Bashkuara, por ai përfundoi duke nënshkruar kontratën më fitimprurëse në historinë e futbollit me skuadrën nga Arabia Saudite, Al-Nassr.
Tani, Morgan pretendon se ikona 38 vjeçare dëshironte që të kalonte në stadiumin “Emirates”, në qoftë se Arsenali do të shprehte interesim për të nënshkruar me të.
“Nëse Arsenali do të nënshkruante me Ronaldon kur ai u largua nga United, deri në fund të këtij sezoni, ashtu siç kishte dëshirë ai (Ronaldo), Arsenali do të fitonte ligën. Ai e di se si fitohen trofetë e mëdhenj, dhe se si shënohen golat kur me të vërtetë nevojiten”, tha Morgan në “Twitter”.
/TV Malisheva