Komisioni Evropian çoi zyrtarisht Maltën në gjykatën më të lartë të BE-së për skemën e saj të “pasaportave të arta” që u jep nënshtetësinë malteze qytetarëve të pasur të vendeve të treta në këmbim të parave dhe investimeve.

Komisioni tha se e konsideron skemën një shkelje të ligjit të BE-së dhe i ka bërë thirrje prej kohësh Maltës, një shtet anëtar që nga viti 2003, të tërheqë skemën për shkak të frikës së pastrimit të parave dhe shtetësisë që u jepet individëve me rrezik të lartë.

“Duke ofruar shtetësi në këmbim të pagesave ose investimeve të paracaktuara, pa një lidhje të vërtetë me shtetin anëtar në fjalë, Malta shkel ligjin e BE-së”, shkroi në Twitter komisioneri i çështjeve të drejtësisë të BE-së, Didier Reynders.

“Vlerat e Bashkimit Evropian nuk janë në shitje”, shtoi ai.

Qeveria e Maltës u përgjigj me një deklaratë duke mohuar se skema shkel ligjin e BE-së dhe përsëriti se politika e saj e shtetësisë ishte rreptësishtë një çështje e kompetencës kombëtare.

Shkuarja në gjykatë “i jep Maltës mundësinë të vazhdojë të kundërshtojë akuzat e përmendura dhe të lërë Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian (GJED) të zgjidhë çështjen”, thuhet në një deklaratë të qeverisë.

Nëse Malta humbet çështjen e saj në GJED, ajo duhet të respektojë vendimin e gjykatës ose të përballet me gjoba të mëdha.

 

Share.