Sot në fshatin Bubavec të Malishevës, edhe zyrtarisht është bërë hapja e Muzeut të “Lëvizjes gjithëpopullore të pajtimit të gjaqeve dhe i kauzës kombëtare shqiptare”, kushtuar tubimit të madh të pajtimit të gjaqeve të mbajtur 32 vite më parë, në xhaminë e këtij fshati, ku janë falur e pajtuar 42 gjaqe e ngatërresa.

Në këtë tubim, morën pjesë qytetarë dhe ish aktivistë të viteve të ’90 të pajtimit të gjaqeve, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, përfaqësuesit e bashkësive fetare në vendin tonë, përfaqësues të FSK-së, përfaqësuesit e ish shtabit të përgjithshëm të UÇK-së dhe shumë të tjerë.

Fillimisht, në hapje të këtij tubimi, Çerkin Dukolli e ka mbajtur një kumtesë, për kontributin e Bubavecit, në të gjitha periudhat e përpjekjeve kombëtare për çlirimin e vendit, si rolin e tubimit të madh të pajtimit të gjaqeve, që është mbajtur 32 vite më parë në xhaminë e Bubavecit.

Më pas, një fjalë rasti e ka mbajtur edhe Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, i cili, hapjen e këtij muzeu e ka quajtur me rëndësi historike, ndërsa i ka përkujtuar dhe ka shprehur respekt për të gjithë ata që kanë qenë të angazhuar në lëvizjen e pajtimit të gjaqeve, si profesor Anton Çeta, mulla Xhevat Kryeziu, imami i xhamisë në Bubavec dhe të tjerët.

Fjalë rasti, lidhur me rëndësinë e asaj lëvizjeje dhe për rëndësinë e tubimit të faljes së gjaqeve në Bubavec, kanë mbajtur edhe krerët e bashkësive fetare në vend, myftiu Naim Tërnava dhe Don Lush Gjergji, ndërsa për rëndësinë historike të gjithë asaj lëvizjeje dhe të tubimit, kanë folur profesor Hakif Bajrami dhe Mehmet Rukiqi.

Një fjalë rasti e ka mbajtur edhe protagonisti kryesor i atij tubimi të faljes së gjaqeve, mulla Xhevat Kryeziu, i cili ka folur për të gjithë lëvizjen e pajtimit të gjaqeve, përfshi edhe tubimin në xhaminë e Bubavecit, xhami e cila sot është shndërruar në muze.

/TV Malisheva

Share.