Mbrojtësi i ri holandez, Matthijs De Ligt flet për eksperiencën e re tek Juventusi, për bashkëlojtarët e rinj, Cristiano Ronaldon dhe për objektivat që ka tek Bianconeri

Matthijs De Ligt ka arritur në Juventus disa javë më parë, por ai është bërë tashmë idhull në popullin Bianconeri, shkruan Gazeta Express.

Mbrojtësi i ri holandez është ambientuar menjëherë në Torino dhe thotë se është pritur mjaft mirë.

“Me shokët e skuadër ia kaloj mjaft mirë, janë vërtetë simpatikë, po mësoj nga ta çdo ditë. Janë shumë lojtarë me eksperiencë, kështu që jam me të vërtetë i lumtur”, ka thënë ish-mbrojtësi i Ajaxit për “Tuttosport”.

“Jam i befasuar me nivelin e të gjithëve, janë të koncentruar, të gjithë janë mjaft të fortë. Është e qartë se do të jetë e vështirë të luaj titullar me lojtarë aq të fortë përpara, por unë do ta jap më të mirën kur të më jepet rasti”, shtoi ai.

Përfaqësuesi holandez ka folur edhe për bashkëlojtarin e ri, Cristiano Ronaldo, me të cilin ishte përballur si kundërshtar vitin e kaluar.

“Cristiano nuk ishte faktori kryesor se përse e zgjodha Juven: janë disa elemente që më kanë shtyrë të vendos ta pranoj ftesën Bianconera. Më pas, është mjaft e bukur kur dikush aq i madh këtu si ai thotë gjëra të tilla për mua, por me të vërtetë ai nuk ishte faktori kryesor se përse kam ardhur”, shtoi De Ligt.

Ai e di se njerëzit presin shumë gjëra nga ai, por që nuk mendon shumë për këtë pjesë.

Ai po mundohet ta shijojë momentin dhe është i fokusuar 100 për qind në punë dhe në fushën e blertë.

Share.