Ministri i Financave, Hekuran Murati, ditë më parë i ka propozuar komunave që të gjithë tatimpaguesve t’u falen deri në 100 euro nga vlera e tatimit në pronë për këtë vit.

Megjithatë, sipas deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, kjo gjë s’mund të ndodhë, sepse komunat nuk kanë të drejtë të falin tatime.

Për propozimin e Muratit, thotë ajo, e hedh poshtë ministria e tij ndërkohë që ka publikuar një shkresë të Ministrisë së Financave të drejtuar një kryetari komune për këtë çështje.

“Çdo ditë po e dëshmojnë se janë Qeveri praktikantësh”, shkruan deputetja Bajrami në rrjetin social.

Shkresa i drejtohet një komune nga Departamenti Ligjor i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kërkesën lidhur me mundësinë e faljes së tatimit në pronë në komunë nga Kuvendi Komunal deri në vlerën 100 euro.

“Pas shqyrtimit te kujdesshëm të dispozitave të Ligjit Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme (në tekstin e mëtejmë: LTPP), ju informojmë se legjislacioni aktual nuk autorizon komunën për falje të pagesës së tatimit në pronë. Në kapitullin e VI të LTPP-së evidentohet se pagesa e tatimit në pronë është e detyrueshme. Më tej, ky kapitull përmban edhe autorizime për shtyrje të pagesës por jo edhe të faljes. Andaj, vlerësojmë se për një falje të tillë, duhet një akt juridik që ka fuqinë juridike të ligjit. Për qëllime ilustrimit, një situatë e ngjashme ishte adresuar përmes miratimit të Ligjit Nr. 05/L-043 për Faljen e Borxheve Publike, ku u miratua një ligj i cili ka autorizuar shprehimisht faljen e borxhit”, thuhet në shkresë.

Vlerësimi i Ministrisë së Financave ndikoi në dyfishim të tatimit në pronë nga ky vit.

/TV Malisheva 

Share.