Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka reaguar për mosrealizimin e buxhetit për investime kapitale të Qeverisë, derisa ka ironizuar se qeveria përballet me veten në pasqyrë, raporton TV Malisheva.

Zemaj thotë se pasqyra i përgjigjet: Jo, se i ke realizuar vetëm 9% nga investimet kapitale, gjersa 4 ministri tuaja përfaqësohen me 0 realizim!

Ai thotë se ministri Murati sot e pranoi debakli e radhës, teksa shton se kjo mund të jetë një shenjë pozitive për rikthim eventual në botën reale, e cila po jeton në një botë paralele.

Postimi i tij i plotë:

Përballja e Qeverisë me veten dhe të vërtetën!

Qeveria: Pasqyrë oj pasqyrë, a jam qeveria më e mirë në botë?

Pasqyra: Jo, se i ke realizuar vetëm 9% nga investimet kapitale, gjersa 4 ministri tuaja përfaqësohen me 0 realizim!

Raporti Financiar i Thesarit të Shtetit pasqyroi më së miri dështimet e Qeverisë, përkatësisht mosrealizimin e buxhetit për investime kapitale. Në 6-të muajt e parë të vitit 2022, Qeveria ka realizuar vetëm 9% të buxhetit për investime kapitale, gjersa 4 ministri kanë përfunduar me 0 realizim. Ndërkaq, ministri i Financave, i cili përfaqëson vetëm 1% të realizimit të buxhetit për investime kapitale, sot, deklaroi se “investimet do të bëhen”, duke e pranuar kështu debaklin e radhës; e zeza në të bardhë e shkruar në statusin e tij.

Kjo Qeveri tashmë po e vërteton se është duke jetuar në një botë paralele, ndonëse dua të besoj se pranimi i debaklit nga ana saj mund të jetë një shenjë pozitive për rikthim eventual në botën reale.

Share.