Ndonëse konsumatorët janë të mbrojtur ligjërisht edhe në Kosovë, shkeljet e të drejtave të tyre janë mjaft të shpeshta.

Vetëm gjatë këtij viti, në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit janë adresuar mbi 500 ankesa. Shkeljen e të drejtave të konsumatorëve e pohojnë edhe promovues të të drejtave të konsumatorëve, të cilët ftojnë institucionet që të kujdesen më shumë për qytetarët.

Dita Ndërkombëtare e Konsumatorit e cila shënohet çdo 15 mars, që nga viti 1962, konsumatorët në Kosovë po i gjen me shkelje të të drejtave të garantuara me ligj. Mashtrimet me çmime apo edhe zbritjet e pavërteta janë mjaft të shpeshta. Por, për konsumatorin Ardian Krasniqi më shqetësuesja nga të gjitha është shitja e produkteve me afat të skaduar.

“Personalisht disa herë më ka ndodhur që një produkt ta paguaj në arkë më shtrenjtë se që ka shkruar çmimi në raft. Por, dukuri shumë më e keqe se kjo është shitja e produkteve pa afat, siç edhe ka ndodh ta blej. Kjo është shqetësuese, pasi tregon se ka tregtarë që për pak pare janë në gjendje të rrezikojnë jetën e dikujt”, tha ai.

Selatin Kaçaniku, i cili prej vitesh drejton Organizatën “Konsumatori”, me të cilën promovon të drejtat e qytetarëve konsumatorë, tha se shkeljet e të drejtave të konsumatorëve janë të mëdha.

“Ligji për mbrojtjen e konsumatorëve nuk zbatohet në shumë pika. Ne jemi të pa mbrojtur. Gjykatat janë përplot me ankesa të qytetarëve konsumatorë. Reagim edhe më të keq se ankesën e kemi heshtjen. Prandaj MINT, Qeveria e Parlamenti, duhet të kujtohen e të mos mendojnë se i kanë zgjidhur punët pse ka pak ankesa, por le ta dinë se kjo heshtje dikur mund të shpërthejë”, tha Kaçaniku.

Në lidhje me numrin e ankesave të konsumatorëve dhe gjobave të shqiptuara gjatë këtij viti, Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit në një përgjigje me shkrim  kanë treguar se gjatë këtij viti kanë pranuar 509 ankesa.

“Për sa i përket numrit të ankesave të trajtuara janë 303. Të gjitha ankesat e konsumatorëve trajtohen nga Inspektorati i Tregut dhe gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar 67 gjoba dhe njëkohësisht një numër i madh i vërejtjeve për eliminimin të parregullsive.”

Tutje bëhet e ditur se gjatë vitit 2022 Inspektorati i Tregut ka pranuar dhe shqyrtuar 1,239 ankesa dhe ka shqiptuar 311 gjoba.

/TV Malisheva

Share.