Domatet e importuara nga Shqipëria dyshohet se përmbajnë sasi të larta të hormoneve, të cilat janë të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve.

Për të verifikuar nëse kjo është e vërtetë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka dërguar disa mostra në laborator dhe është në pritje të rezultateve të testeve.

Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, ka theksuar se kjo agjenci ka marrë masa shtesë të kontrollit, me theks të veçantë kontrollin e domateve me origjinë nga Shqipëria.

“Si AUV kemi marrë masa shtesë të kontrollit, me theks të veçantë kontrollin e domateve me origjinë nga Shqipëria. Përveç kontrollit të rregullt dhe analiza rutionre, në këtë rast janë marrë mostra /kampione përfaqësuese të regjioneve të caktuara prodhuese prej nga importohen këto produkte, të njëjtat janë dërguar në laboratorë jashtë vendit me qellim testimi në kontaminuës kimik/mbetje të pesticideve (Përcaktimi i nivelit maksimal të mbetjeve-MRL në produkt) . AUV është në pritje të rezultateve të testeve laboratorike të mostrave zyrtare të dërguara. Pas pranimit të rezultateve të testeve analitike, varësisht nga gjetjet do të merren veprime/masa zyrtare”, theksoi ai.

Sipas tij, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, në nivel vendi në aspektin e përgjithshme të kontrollit të shëndetit bimor dhe sigurisë ushqimore, kryesisht bashkëpunon me laboratorë të autorizuar dhe kontraktuara në nivel shtetëror, siç janë: Instituti kombëtar i Shëndetësisë Publike-IKSHPK, Instituti Bujqësor i Kosovës- IBK, dhe Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë-LUV.

“Mirëpo për teste specifike mostrat zyrtare për raste të veçanta dërgohen për testim me metoda konfirmative qoftë në vende të rajonit apo në ndonjë vend të BE-së”, ka theksuar Thaçi.

Ai ka shtuar se të gjitha produktet që kanë qëllim final tregun e Kosovës duhet të jenë produkte të certifikuara, për çka përmes dokumentacionit adekuat shoqërues te lëshuar nga autoriteti kompetentë i vendit eksportues/prodhues marrim dëshmi/garanca që produktet janë në harmoni me kërkesat ligjore.

/TV Malisheva 

Share.