Kreu Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) mbajti sot mbledhjen e radhës nën udhëheqjen e presidentit Agim Ademi, ku u diskutuan çështje të ndryshme në interes të futbollit të Kosovës.

KE analizoi ndeshjet e deritanishme duke konstatuar se ka pasur rrjedhë të mirë të garave, por gjithsesi kërkoi nga gjyqtarët që të jenë në nivel të detyrave, përcjell TV Malisheva.

KE analizoi edhe paraqitjen e skuadrave tona në garat evropiane, e cila u vlerësua që ishte një paraqitje e mirë e veçmas nga kampioni në fuqi, FC “Ballkani”, që ka arritur të jetë pjesë e fazës së grupeve në Ligën e Konferencës dhe të ketë paraqitje dinjitoze. Kjo ka bërë që imazhi i futbollit të Kosovës të rritet.

Po ashtu, KE u njoftua nga presidenti Ademi se FFK-në do ta vizitojë presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, më datën 30 shtator, vizitë kjo e cila do të jetë historike për futbollin e Kosovës.

Për këtë vizitë KE i FFK-së, do të marrë të gjitha masat dhe përgatitjet e duhura për pritjen sa më të mirë të presidentit Infantino, aq më parë që kjo vizitë bëhet në prag të fillimit të Kampionatit botëror Katari 2022.

Share.