Të enjten filloi viti i ri shkollor në Bullgari. Gati 717,000 nxënës po kthehen në bankat shkollore ku që të gjithë shpresojnë të jetë një vit shkollor “normal” pas pandemisë. Mes tyre janë mbi 57 mijë nxënës të klasës së parë. Është një ngjarje festive për mësuesit dhe nxënësit, veçanërisht për më të rinjtë.

Të gjitha 2,347 shkollat dhe 1,799 kopshtet në Bullgari fillojnë me mësime personale. Sindikatat e mësuesve thanë se mësuesit janë të vendosur të punojnë në këtë mënyrë për aq kohë sa të jetë e mundur.

Disa shkolla po përjetojnë mungesë mësuesish, por numri i vendeve të lira filloi të zvogëlohet në prag të ditës së parë të shkollës.

Shkollat gjithashtu kanë punësuar 1,216 ndihmës dhe 182 punonjës socialë.

Ministri i Arsimit Sasho Penov do të hapë vitin e ri shkollor në Sofje dhe do të udhëtojë në qytetin jugor të Karlovos më vonë gjatë ditës për të vizituar një shkollë profesionale që u përmbyt gjatë përmbytjeve të fundit.

Afro 900 shkolla janë rinovuar gjatë verës dhe 46 nuk kanë mundur t’i përfundojnë rinovimet, si rezultat i të cilave mësimi do të zhvendoset në objekte të tjera.

Shkollat tashmë kanë siguruar libra shkollorë falas për nxënësit nga klasa e parë deri në të shtatën.

Janë ngritur gjithsej 1,222 ekipe me 18,244 ekspertë, për t’u siguruar që të gjithë fëmijët të ndjekin mësimet. Ministri i Arsimit tha së fundmi se një numër në rritje i fëmijëve me rrezik të shtuar të braktisjes së shkollës tashmë janë përfshirë në sistemin arsimor falë këtij mekanizmi që përfshin Ministrinë e Arsimit, të Politikës Sociale dhe të Brendshme, dhe institucione të tjera.

Sistemi i ri informativ elektronik për arsimin parashkollor dhe shkollor hyn në funksion këtë vit, që do të thotë se të gjitha proceset dhe informacionet në arsim do të digjitalizohen. Sistemi përfshin ditar elektronik të notave dhe dosje personale për të gjithë nxënësit nga klasa 1 deri në 12. Rreth 100,000 mësues, 700,000 nxënës dhe 1.5 milion prindër do të kenë qasje në sistemin e ri elektronik.

 

Share.