“Le të luajmë futboll korrekt ashtu siç kemi bërë deri më tani”. Kjo është thirrja me të cilën trajneri i Dukagjinit Armend Dallku iu ka drejtuar klubeve të Superligës së Kosovës kur kampionati ka hyrë në dy javët e fundit dhe gara sa i përket sigurimit të një vendi në elitën e futbollit vendor është bërë jashtëzakonisht interesante.

38-vjeçari po e stërvitë intensivisht dhe me përkushtimin më të madh skuadrën e tij para ndeshjes me Llapin në shtëpi, derisa sfidën e fundit në kampionat do ta zhvillojë ndaj Malishevës, skuadër me të cilën janë në luftë direkte për mbijetesë.

Dallku thotë se vlerësuar nga kalendari duket qartë se Drenica është skuadra më e favorizuar në këtë luftë, por shton se futbolli është i paparashikueshëm, gjithmonë nëse bëhet lojë korrekte dhe e drejtë.

Dallku: Drenicën e favorizon kalendari, por le të luajmë futboll korrekt

“Nëse i referohemi kalendarit nuk diskutohet. Por ky është futboll. Në futboll mund të ndodhin gjëra të paparashikuara kështu që shpresoj që të gjitha ekipet të luajnë futboll deri në fund. Në ndeshjen me Dritën shumica e njerëzve kanë menduar që do të shkojë Dukagjini në Dritë dhe do fitojë dhe e kemi parë se çfarë lufte u bë. Kështu që po shpresoj që të gjitha ndeshjet do të luhen me futboll fer dhe le të mbetet në kategorinë apo kushtimisht në atë fazën e barazhit ai ekip që është paraqitur më dobët…Nëse i referohemi performanës dhe grupit po besoj që Dukagjini ka edhe grupin më të mirë edhe performancën më të mirë nëse i referohemi kësaj fazës së fundit të kampionatit”, tha në fund Dallku.

Madje kryetrajneri i Dukagjinit thotë se në luftën për mbijetesë është edhe kampioni në fuqi Prishtina dhe se nuk pajtohet me mendimin se vetëm skuadra e tij dhe Malisheva janë të rrezikuara për të rënë në Ligën e Parë.

Dallku: Në luftën për mbijetesë është e përfshirë edhe Prishtina

“Po i shoh shumë analistë, shumë njerëz që i kanë vënë vetëm Dukagjinin dhe Malishevën, po harrojnë që me dy humbje të Prishtinës ose me dy humbje të Drenicës mund të vijnë edhe këto dy ekipe atje. Mirëpo po shpresojmë që të luhet futboll dhe të luftojnë të gjitha ekipet siç është më së miri dhe të performojmë ashtu siç kemi performuar çdo ekip. Kurse sa i përket neve, ne jemi shumë të kënaqur me ekipin tonë sidomos këto xhirot e fundit sepse me të vërtetë kemi pasur shumë probleme, shumë lëndime, diku, diku kanë ndikuar edhe faktorët tjerë në mos rezultat po themi kushtimisht edhe kemi pasur mungesë të një komponimi të ekipit”, ka thënë Dallku.

Ndërsa mesfushori ofensiv i Dukagjinit Altin Merlaku, thotë se skuadra është shumë e motivuar para këtyre dy ndeshjeve jetike në Superligë, por, sipas tij, ndeshja direkte me Malishevën në xhiron e fundit mund të jetë ajo që do ta vendosë fatin e këtij sezoni.

Merlaku: Fati ynë mund të vendoset në ndeshjen më Malishevën

“Motivi është shumë i madh duke e ditur rëndësinë e ndeshjes që e kemi me Llapin. Po besoj që edhe ne, gjithë ekipi dhe qyteti jemi të organizuar mjaftë mirë t’i marrim këto tre pikë dhe të shohim të bëjë një gabim Malisheva ose të vendosë loja e fundit… Të shohim, nëse nuk vendos kjo lojë, do vendosë ndeshja e fundit që besoj që ne e kemi edhe një favor tonin që në rast të barazimit ne i ikim barazhit dhe po besoj që ajo do të ndodhë”, tha Merlaku.

Kurse futbollisti tjetër, Ilir Syla tregon skenarin sipas të cilit klubi nga Klina do ta arrinte objektivin për mbetje në Superligë edhe për sezonin e ardhshëm.

Syla: Kemi besim të plotë se do mbesim në Superligë

“Duke marrë parasysh nëse Malisheva merr pikë të plota ndaj Gjilanit edhe ne me pikë të plota ndaj Llapit atëherë mbetet që të vendoset në lojën e fundit në Malishevë, por ne jemi të përgatitur. Pa marrë parasysh çfarë do të ndodhë, ne jemi të përgatitur që edhe në Malishevë të shkojmë dhe të dalim me fitore ose barazim…Malisheva ka individë të mirë aty në ekipin e tyre dhe kanë bërë një grup të fortë, kanë pasur paraqitje të mira në Superligë. Është e vështirë por besojmë fuqishëm në ekipin tonë”, tha Syla.

Ndeshjen me Llapin Dukagjini e zhvillon të dielën në stadiumin “18 Qershori” në Klinë me fillim nga ora 15:00.

/TV Malisheva

Share.