Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza tha se deri më tani 15 persona janë vrarë që nga fillimi i operacionit “Breaking Dawn” dhe se 125 persona janë plagosur.

Lajmi u bë i ditur nga agjencitë izraelite.

Ministria deklaroi gjithashtu se ka 40 për qind mungesë të pajisjeve dhe barnave bazë dhe 60 për qind mungesë të pajisjeve laboratorike.

“Për shkak të mbylljes së termocentralit, ka nisur një numërim mbrapsht për ofrimin e shërbimeve mjekësore në spitale me një ndërprerje thuajse të plotë brenda 72 orëve”, thuhet në njoftim.

Krahu ushtarak i Xhihadit Islamik deklaroi më herët gjatë ditës se 60 raketa u lëshuan në Izrael që nga mëngjesi i së shtunës.

Grupi militant shtoi se raketat u hodhën në aeroportin ndërkombëtar “Ben-Gurion”, Ashdod, Be’er Sheva, Ashkelon dhe Netivot.

“Ne kemi nisur një fushatë kundër agresionit izraelit dhe luftëtarët e Xhihadit Islamik janë të përgatitur për të vazhduar luftën”, vëren organizata në një deklaratë.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Benny Gantz urdhëroi ushtrinë që të vazhdojë të synojë qelizat e Xhihadit Islamik dhe të parandalojë sulmet me raketa nga Rripi i Gazës.

Forcat e Mbrojtjes izraelite sulmuan rreth 30 objektiva të “Xhihadit Islamik” në Rripin e Gazës gjatë natës mes të premtes dhe të shtunës.

Kjo, sipas zëdhënësit të IDF-së Ran Kochav.

Fillimisht, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë se kishin rifilluar sulmet me raketa kundër pozicioneve të shumta të militantëve në Gaza.

Sulmet vazhduan deri në orët e para të mëngjesit.

Të shtunën, Izraeli deklaroi se kishte arrestuar 19 anëtarë të PIJ-së në bastisjet në të gjithë Bregun Perëndimor.

Shkëmbimi i zjarrit brenda natës shënon përshkallëzimin më serioz të dhunës që nga lufta 11-ditore e majit 2021.

Kjo e fundit, la më shumë se 200 palestinezë dhe një duzinë izraelitësh të vdekur përpara se të arrihej një armëpushim.

/TV Malisheva

Share.