Përveç pengesave politike, Serbia në vazhdimësi ka tentuar ta minojë Kosovën edhe në aspektin ekonomik.

Prodhuesve të ndryshëm të Kosovës gjatë këtij vitit i është pamundësuar eksportimi i mallrave në Serbi si pasojë e barrierave të reja ndaj prodhimeve “Made in Kosova”, një pjesë e të cilave janë bllokuar në depot doganore. Përfaqësues të bizneseve kanë kërkuar që Kosova t’i kundërpërgjigjet Serbisë në të njëjtën mënyrë.

Për këto pengesa, Qeveria e Kosovës e ka njoftuar Bashkimin Evropian.Masa të njëjta reciproke kanë kërkuar përfaqësuesit e bizneseve ndaj Serbisë e cila ka vendosur barriera të reja ndaj prodhuesve të Kosovës duke ua pamundësuar eksportin e mallrave në këtë shtet. Produktet e shumë prodhuesve gjatë këtij viti janë bllokuar deri në një muaj në depot doganore, për shkak të analizave laboratorike që janë kërkuar nga Serbia.

“Produkti i Kosovës po ka shumë vështirësi me dal në tregun e tyre. Vonohen maunat në terminale doganore më shumë se 10-30 ditë për një certifikatë të analizave. Qëllimi është t’i ndihmojmë produktet e Kosovës të eksportohen. Duhet të ja kthejmë masat e njëjta”, deklaroi Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.

Edhe Zana Beqiri, drejtoreshë Ekzekutive e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, ka deklaruar për këto pengesa.

“Janë raportuar disa probleme të cilat janë më shumë administrative vonesa për një certifikatë sanitare, gjëra që sish dasht me ndodhë sikur të ishte një frymë më e mirë e bashkëpunimit nga autoritetet atje. Është e rëndësishme që si shtet ta masim progresin e raportit mes dy vendeve bazuar në numrin e këtyre problematikave”, tha ajo.

Nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk u janë përgjigjur pyetjeve nëse do të marrin ndonjë masë ndaj produkteve serbe.

Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se për sfidat me të cilat po ballafaqohen bizneset nga shteti serb, e kanë njoftuar Bashkimin Evropian.

“Një prej sfidave të kompanive tona vendore, veçanërisht në fushën e eksportit, vazhdimisht ka qenë sjellja destruktive e Serbisë që në forma të ndryshme ka penguar lëvizjen e lirë të mallrave në pikat kufitare apo në territorin e saj. Ne i kemi dhënë një mundësi procesit të dialogut dhe Marrëveshjes Bazike. Besojmë që ajo, në përmbajtje të saj, sidomos në pikat 1, 2 dhe 4 ofron, ndër tjerash, zgjidhjen e duhur për sfidat e bizneseve tona por edhe garanton reciprocitet duke njohur dokumentet zyrtare të njëra-tjetrës”, thuhet në përgjigjen e qeverisë për RTK.

Vetëm gjatë vitit 2022, Kosova kishte importuar mallra me vlerë mbi 371 milionë euro nga Serbia, ndërsa kishte eksportuar produkte në vlerë prej 60.7 milionë eurove.

/TV Malisheva

Share.