Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, gjatë së enjtes është takuar me Jens Plötner, kryekëshilltar diplomatik i kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Në një shkrim në Twitter, Lajçak tha se gjatë takimit në Berlin me Plotner është diskutuar për vizitën e fundit të tyre në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën.

Po ashtu është folur për hapat e ardhshëm të dialogut Kosovë-Serbi, si proces për normalizimin e mardhënieve mes dyja shteteve.

“Një takim shumë i mirë me Jens Plötner, kryekëshilltar diplomatik i 🇩🇪kancelarit Scholz, në Berlin. Ne folëm për vizitën tonë të fundit në Ballkanin Perëndimor, si dhe për zhvillimet aktuale dhe hapat e ardhshëm në procesin e normalizimit. Faleminderit Gjermanisë për mbështetjen e fortë në punën time”, tha Lajçak.

Ndërkaq, ende nuk ka datë të konfirmuar për takimin e radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel, megjithëse në takimin e muajit gusht ka pasur pajtueshmëri për takime të rregullta të nivelit të lartë në baza mujore.

Nga Qeveria e Kosovës janë të gatshëm për takime të tilla, siç thonë për t’i shërbyer marrëveshjes finale me njohje reciproke në qendër. Ndërsa në Bashkimin Evropian nuk tregojnë nëse vizita e Lajçak gjatë të enjtes në Kosovë, ka qenë për të përgatitur takimin e nivelit të lartë.

Takimi i fundit i kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq ka qenë më 18 gusht në Bruksel. Aty kreu qeveritar ka thënë se ka prezantuar kapitujt për marrëveshjen finale me njohjen reciproke në qendër.

Share.