Komuna e Lipjanit këtë vit solli aktivitetin “Mërgata Fest & Sport” për të uruar mirëseardhje të gjithë bashkëvendësve të ardhur nga diaspora për të kaluar pushimet në vendlindje. Nga data 8 deri më 10 gusht u mbajtën aktivitete sportive e argëtuese që u përmbyllën me koncertin e madh në qendër të qytetit.

Këngëtarët si Sabri Fejzullahu, Grupi “Ilirët”, Teuta Selimi dhe artistë të tjerë u përkujdesën për argëtimin e qytetarëve, ndërsa u organizuan lojëra me karakter garues si beach volley, ping-pong, shah, mundja e krahut, pikado, çiklizëm, shigjetari e futboll të vogël. Gjithashtu, u shtrua edhe sofra tradicionale.

Drejtoresha e Kulturës në Lipjan, Anila Reçica-Llugiqi, deklaroi se qëllimi kryesor i këtyre aktiviteteve ishte që të ardhurit nga diaspora si dhe qytetarët rezidentë të kenë mundësi argëtimi në një vend të përbashkët.

Reçica-Llugiqi: Mërgimtarët mos të ndihen mysafirë në vendin e tyre

“Qëllimet tona janë t’i bashkojmë mërgatën dhe qytetarët rezidentë të qytetit të Lipjanit në një vend të përbashkët. Ata mos të ndihen si mysafirë në vendin e tyre. Kështu që ky ishte edhe qëllimi ynë. Na kemi pas nevojë për një frymë ndryshe të qytetit të Lipjanit për një qytet me plot ngjyra dhe po besoj që e kemi arrit qëllimin”, tha Reçica-Llugiqi.

Në anën tjetër, organizatori i kësaj ngjarjeje, Alban Zejnullahu tha se Komuna e Lipjanit ka arritur të organizojë një aktivitet që nuk është bërë në të kaluarën, ndërsa tregoi se veçse ka thirrje që ky aktivitet të shndërrohet në tradicional.

Zejnullahu: Kemi thirrje për ta bërë aktivitetin tradicional

“Ne kemi arritur që ta organizojmë një aktivitet që nuk është bërë më herët në Kosovë, e kemi multi-disiplinare sportive, por në të njëjtën kohë edhe aheng me këngëtarët më të njohur, muzikë e festival… Ky aktivitet yni është pritur aq mirë prej qytetarëve, sa tash kanë filluar thirrjet që mu bë tradicional ky organizim… Qëllimi ynë kryesor është për mërgatën, t’i nderojmë mërgatën”, tha Zejnullahu.

Ndër aktivitete sportive që u organizuan ishte edhe mundja e duarve. Kryetari i Federatës së Armwrestling Kosova, Edon Morina, tha se mirëpret promovimet e tilla për këtë sport.

Morina tha që këto aktivitete sportive janë pozitive për qytetarët dhe sportistët e vendit, si dhe për të rinjtë që të largohen nga veset dhe rrugët e këqija.

Morina: Sporti kontribuon në shëndetin e qytetarëve

“Ky promovim është gjithmonë pozitiv për sportistët e Kosovës, është edhe pozitiv edhe për qytetarët dhe çdo aspekt. Sporti gjithmonë kontribuon në shëndetin e të rinjve tonë, që edhe të largohen nga veset e këqija dhe nga rrugët e këqija, kështu që unë e shoh gjithçka që është pozitive”, tha Morina.

 

Në ditën e fundit të “Mërgata Fest dhe Sport” u luajtën edhe ndeshjet finale në disa nga sporteve që ishin pjesëmarrëse, ku më pas u shpërndanë edhe trofetë e medaljet për sportistët fitues.

Po ashtu, Komuna e Lipjanit ndau edhe mirënjohje për Policinë e Kosovës dhe stafin mjekësor që ishte i pranishëm, ndërsa pa mirënjohje nuk mbeti as Federata e Motoçiklizmit dhe ajo e Çiklizmit, të cilat hapën këto aktivitete në ditën e parë me parakalim në sheshin e qytetit “Adem Jashari”. /TV Malisheva

Share.