Futbollisti senegalez, Sadio Mane, është kthyer në fshatin ku është rritur, për të shikuar nga afër ndërtimin e shkollës, të cilën është duke e financuar.

Në prill të vitit të kaluar, ylli i Liverpoolit dhuroi 250.000 funte (280.000 euro), në mënyrë që gjenerata e ardhshme e fëmijëve në Bambali të kenë një shkollë të re të mesme, për t’u dhënë mundësi që të përparojnë në jetë, ashtu siç ka bërë ai.

Mane, i cili ka paguar në ndërtimin e një spitali dhe ka dhuruar shumë para për familjet e varfra, është gjithmonë i përulur dhe asnjëherë nuk harron se nga ka ardhur.

27-vjeçari është një hero në vendlindjen e tij, ndërsa aktet bamirëse nuk i bën për t’u shfaqur. Kur The Telegraph e kishte pyetur në lidhje me këtë pjesë të tij, ai kishte kërkuar që të mos përfshihej kjo temë në intervistë: “Nuk e bëj këtë për publicitet”.

Ai nuk dëshiron vëmendje, por e bën këtë sepse dëshiron të kujdeset për njerëzit e vendit nga vjen dhe është shumë i vetëdijshëm për varfërinë dhe kushtet e vështira, në të cilat jetojnë shumica e bashkëkombësve të tij.

Share.