Qytetarë të shumtë po i japin përkrahje marshit të organizuar nga platforma “Liria ka Emër”, në shenjë solidarizimi me ish-krerët e UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë.

Deri më tani ky marsh ka marrë mbështetje të madhe edhe nga disa parti politike, shoqëria civile, shoqata dhe organizata të ndryshme e disa oda ekonomike.

Qytetarët shprehen se e përkrahin këtë iniciativë. Madje ka të atillë që për këtë marsh kanë udhëtuar nga nga Shqipëria.

Llesh Biba, shkrimtar nga Shqipëria tha se ka ardhur në Kosovë enkas për këtë aktivitet, ku shtoi se krerët e UÇK-së janë trima për faktin se po e mbrojnë drejtësinë.

“Unë mund të iu them se kam ardhur nga Shqipëria për të marrë pjesë në këtë aktivitet. Lidhur me këtë pyetje po iu them, unë jam i lumtur që ata janë në Hagë, dhe mund ta transmetoni kështu si them unë, sepse ata janë aq trima, aq shqiptar, kanë shkuar atje, kanë hyrë dorëzanë me i thanë asaj drejtësie në formë S-je, për t’i thënë që ne jemi ‘dorëzanëja’, ne dëshmitarët e gjallë që kemi luftuar për një liri që kushton shumë, unë Hashim Thaçin e kam mik konkretisht që në 93-shin. Jam i lumtur që ai përfaqëson kombin tim, ku do të vërtetohej se drejtësia, duhet të mbrohet me gjak dhe inteligjencë”, tha Biba.

E ish-ambasadori i Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj tha se kjo gjykatë është politike, pasi krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po mbahen atje padrejtësisht.

Sipas tij atje duhet të ishin kriminelët e Serbisë që kanë bërë gjenocid në Kosovë.

“Të gjithë qytetarët e Kosovës, të gjithë populli i Kosovës, duhet të solidarizohet me marshin, për të drejtën e çlirimtarëve, sepse ata kanë bërë luftë heroike, të pastër dhe legjendare dhe janë nderi dhe lavdia e Kosovës, e lirisë së Kosovës dhe duhet të kenë mbështetjen dhe përkrahjen e gjithë Kosovës. Kjo gjykatë po shihet se është politike, unë mendoj se në Hagë duhet të jenë kriminelët serbë të cilët kanë bërë gjenocid në Kosovë, ata sot shëtisin lirshëm nëpër Serbi e kudo tjetër, ndërsa njerëzit që kanë mbrojtur Kosovën, kanë vetëmbrojtur popullin e Kosovës, pragun e shtëpisë, fëmijët dhe nënat kosovare ata sot po gjykohen padrejtësisht”, tha Dedaj.

Njëjtë mendojnë edhe qytetarët e tjerë, ku thanë se të gjithë duhet të dalin pasi UÇK-ja po gjykohet padrejtësisht.

“Po duhet të dalim, gjithsesi, krejt me dalë, me i përkrahë ata që janë në Hagë, se padrejtësisht janë atje. Ata që kanë bërë krime çetnikët e Serbisë, ata nëpër shtëpi, shëtitën e marrin paga të mëdha. Kë me dënu, me i dënu shqiptarët, kjo është e padrejtë, bashkësia ndërkombëtare padrejtësisht ka vepruar këtu. Plotësisht e padrejtë është. Unë Gjykatën Speciale nuk e di kush ka të drejtë ta rrëzojë, por ata duhet t’i lëshojnë, se nuk ka argumente, Serbia krejt i ka bërë krimet, askush nuk është dënuar”, u shpreh qytetari Ejup Tahiri.

Ali Aliu thotë se të gjithë krerët janë të pafajshëm, pasi kanë mbrojtur vendin e tyre.

“Po qysh jo, qysh jo pasha Zotin edhe krejt, edhe mirë bile duhet. Se kanë bërë krime andej ata serbët që janë rrinë, e kanë grirë dhe çka nuk kanë bërë, e tanët shkojnë në Hagë, për drejt të Zotit shkojnë rrinë atje. Krejt të pafajshëm, krejt, asnjë hiq veç qysh i kanë marrë hajt merri se kanë bërë krime, kush more ka bërë krime. Ka dalë ai popullin e vet ta mbrojë, të luftojë në vendin tonë, e çka nuk ka bërë Zoti ishalla mirë e bën”, thotë Aliu.

E Latif Shabani, fajtor për themelimin e kësaj Gjykate e bëri Serbinë. Fajtor e bën edhe spektrin politik në Kosovë për votimin e saj, ndonëse thotë se kanë qenë të imponuar.

“Gjithqysh, është një padrejtësi që po i bëhet UÇK-së, shumë është keq ajo. Gjithqysh duhet të dalë çdo njeri që është shqiptar duhet të dalë aty, se iu kanë bërë padrejtësi atyre. Sigurisht që po, nuk kanë kurrfarë aktakuze, ato aktakuza janë të rreme, të Serbisë, nuk janë të vërteta asnjë nga ato aktakuza, që i kërkohet atyre. Sigurisht po, kjo është krejt prej Serbisë, po pak fajtorë edhe tanët, që e kanë pranuar atë (Gjykatën Speciale), nuk është dashtë ta pranojnë, por edhe iu bë njëfarë lloj pështjellimi jo për organe, jo andej këtej dhe pastaj ua ndërruan pika, shumë keq u bë”, tha Shabani.

/TV Malisheva

Share.