Në konferencën e gjashtë statusore që po mbahet ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë, avokatët kanë kërkuar nga prokuroria që të dorëzojë një listë me dëshmitarët që synon t’i thërras për dëshmi në sallën e gjyqit. Gjithashtu në këtë konferencë, mbrojtja ka kritikuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar për zvarritje në nxjerrjen e materialeve dhe ndryshim të afatit për dorëzimin e tyre.

Avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, Luka Misetiq ishte ai qe kërkoi nga ZPS listën me dëshmitarë, e që një kërkesë e tillë e gjeti mbështetjen edhe të avokatëve të tjerë të cilët mbrojnë Jakup Krasniqin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin.

“Kemi nevojë që të vendosim përparësi për përgatitjet tona dhe këtë e bëjmë duke ditur cilët dëshmitarë do të dëshmojnë në sallë në këtë proces gjyqësor, prandaj propozojmë që prokuroria të përgatis një listë për këtë qëllim. Po ashtu kemi kërkuar edhe nëse mund të na e nxjerrin një liste paraprake të dëshmitarëve brenda datës 2 gusht ku do të identifikojnë dëshmitarët që është e sigurt që do të dëshmojnë në sallë është kategori e dytë ku të jenë dëshmitarët për të cilët nuk ka siguri se do të thirren të dëshmojnë në sallë”, tha ai.

E një gjë të tillë e ka kundërshtuar prokurorja e rastit, Claire Lawson e cila ka thënë se listat jepen brenda afateve të përcaktuara dhe mënyra e dhënies së dëshmisë do të jepet gjithashtu në atë kohë.

“Kjo kërkesë që bëhet nga mbrojtja duket që është komplet jashtë kontekstit dhe pa pasur parasysh veçantitë e çështjes tonë gjyqësore dhe fazën më të avancuar të procesit në rastin tonë”, ka thënë prokurorja.

Nga ZPS kanë thënë se kanë nisur nxjerrjen e materialeve dhe se prokuroria do të mbështesë të gjithë rastin e saj në dëshmitarët që ka pavarësisht nëse ata do të thirren në sallën e gjyqit për të dëshmuar.

Megjithëkëtë, avokati i Thaçit ka deklaruar që do të insistojnë të kërkojnë këtë listë.

Në konferencën e sotme, prokurorja ka përmendur pesë dëshmitarë ndërkombëtarë që lidhen me këtë rast, por që ende nuk janë marrë miratimet për ta.

“Sa u takon marrjes së miratimeve edhe këtu bëhet fjalë për një volum të kufizuar të materialeve janë afërsisht pesë dëshmitarë ndërkombëtar për të cilët nuk janë marrë ende miratimet, ku bëmë përjashtimin tonë të premten që shkoi numri ishte gjashtë por duke qenë se ne morëm miratimin por nuk morëm deklaratën e nënshkruar në një format të përafërt, pra numri është pesë për të qenë të saktë aktualisht”, ka thënë ajo.

ZPS është kritikuar edhe për zvarritje të nxjerrjes së materialeve dhe ndrysim të afatit për dorëzimin e materialeve dhe masave mbrojtëse.

Avokatët kanë kërkuar nga gjykatësi i procedurës paraprake që të caktojë një afat për dorëzimin e raporteve të ekspertëve që i ka paralajmëruar prokuroria.

“Sa i përket raportit të ekspertëve ne duam të shprehim çudinë tonë që ende janë në përgatitje këto raporte ekspertësh. Në nëntor ZPS tha që nuk kishte asnjë arsye se pse mos të fillonte gjyqi këtë muaj, e tani po na thuhet që janë ende ne përgatitje tre raporte ekspertësh, dhe nuk do të jenë gati për afatin e përcaktuar. Ne ju kërkojmë zoti gjykatës të përcaktoni një afat të përcaktuar për çfarëdo raporti ekspertësh që duhet të dorëzohet dhe përdoret për këtë çështje. Që ato që jenë të përfshira në dosjen paraprake të prokurorisë në mënyrë që mbrojtja të jetë mundësisht në dijeni të provave që prokuroria ka ndërmend t’i paraqes”, ka thënë Misetiq, avokat i Thaçit./TV Malisheva

Share.