Pas gjashtë ditësh intensive me prezantime të shfaqjeve të ardhura nga trupa teatrale të ndryshme nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut, është mbyllur pjesa garuese e festivalit të dramës shqipe “Talia e Flakës 2023”.

Në natën e fundit të festivalit të dramës “Talia e Flakës 2023”, është prezantuar shfaqja e Trupës së Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” nga Tirana, me titull “Pak Pakt”, me autor, Ledian Gjeçi.

Në këtë shfaqje të shkruar e inskenuar nga vet Ledian Gjeçi janë ndërthurur probleme të shoqërisë në tranzicion, ku largimi i të rinjve është bërë imperativ i përditshmërisë në kërkim të një jetë më të mirë nëpër vendet e treta.

Në esencë shfaqja është një komedi e zezë, ku dy të rinj të shkolluar mirë, por thellësisht të varfër e të mbytur në borxhe, kapen në flagrancë nga policia në periudhën e kulmit të pandemisë, duke tentuar të ikin jashtë shtetit në mënyrë ilegale.

Shpresa e tyre e vetme shkatërrohet totalisht, por për fat e koincidencë vjen dikush dhe u ofron një pakt, me të cilin ata mund të dalin nga burgu e mund të përfitojnë dokumente në çdo shtet evropian. Porse, ama paraprakisht, ata detyrimisht duhet të deklarohen publikisht sikur janë homoseksualë me pretekst se atje ku do të vejnë çmohet përcaktimi seksual si e drejtë fondamentale.

Për shfaqjen në fund u debatua si zakonisht, ndërsa kishte vlerësime të ndryshme nga panelistët.

Festivali i dramës “Talia e Flakës 2023” së shpejti pritet të prezantojë anëtarët e jurisë vlerësuese, të cilët nuk janë publikuar për arsye profesionale.

Rezultatet e jurisë do të shpallen në gala mbrëmjen e paraparë të mbahet në restorant “Planeti”, më 31 janar, kur do të shpallen edhe vendimet e tjera nëpër shtyllat përkatëse, duke filluar nga “Peneli i Flakës”, “Talia e Flakës”, “Pena e Flakës” e deri te “Fest Flaka”.

Përpos “Pak Pakt”, në garë janë edhe shfaqjet “Fausti”, “Nyjat”, “Toka e shpirtrave të trazuar”, “Burrneshta” dhe “Babai dhe Babai”.   /TV Malisheva

Share.