Me flamuj, këngë, valle e aktivitete të ndryshme po vazhdon të kremtohet festa e 28 nëntorit në kryeqytet.

Të bashkuar e krenarë qytetarët kanë dalë në sheshet “Zahir Pajazit”, “Nënë Tereza” e “Skënderbeu në Prishtinë, por ata thonë se është dashur të ketë më shumë aktivitete për Festën e Flamurit.

Besnik Grajqevci, njëherësh artist, tha se ka një mungesë të përkushtimit për këtë festë, sipas tij është dashur të organizojnë më mirë pasi është derdhur shumë gjak për këtë festë.

Grajqevci: E shoh një mungesë, përkushtim jo të duhur

“Kam dal si qytetar i rëndomtë për ta shikuar sheshin e Prishtinës, si po festohet kjo festë… E shoh një mungesë, përkushtim jo të duhur, për arsyeje se kjo është njëra ndër festat kryesore të kombit tonë dhe kudo që frymon populli shqiptar, kudo që jetojmë, veprojmë duhet ta kemi koncentrimin më të madh te kjo festë, për arsyeje se është bërë shumë flijim i madh për këtë festë. Andaj, mendoj se do duhet të ishte një organizim më i mirë”, tha Grajqevci.

Dibran Gashi, qytetar, shprehur tejet i gëzuar për festën e 28 nëntorit. Ai thotë se është dashur shumë punë për të arritur në këtë ditë.

Gashi: Me dëshirë e vullnet kam dalë ta festoj 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit Kombëtar

“Me dëshirë dhe vullnet kam dalë ta festojë 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit Kombëtar. Jemi të lumtur dhe të gëzuar që ka arritur kjo ditë, të bëjmë këtë festë me kënaqësi… Festa e flamurit është një festë e madhe mbarëkombëtare, e cila përfshin të gjitha trojet, pavarësisht ku gjenden shqiptarët në gjithë botën”, tha Gashi.

Shyqeri Azemi, qytetar, tha po ashtu se është dashur të organizohen më shumë aktivitete në shenjë të kësaj feste.

Azemi: Besoj se duhet të ketë më shumë aktivitete

“Sot është ditë e veçantë, është festa e flamurit, festa e pavarësisë 28 nëntori… Por, besoj se duhet të ketë më shumë aktivitete”, tha Azemi.

Shukri Retkoceri, qytetar nga Ferizaj, e sheh këtë festë si të zbehur. Sipas tij komuna është dashur të organizojë më shumë aktivitete.

Retkoceri: Ka qenë dashtë komuna të organizojë pak më mirë

“Festë e madhe, kombëtare… Unë çfarë po shoh në Prishtinë, kjo festë si e zbehur, jo e gjallë sikur duhet të jetë, mirëpo ka qenë dashur komuna ta organizojë pak më mirë”, tha Retkoceri.

Gjatë ditës së sotme, Drilli ushtarak i Togut Ceremonial të FSK-së me rastin e 28 nëntorit, Pavarësisë së Shqipërisë ka mbajtur aktivitet në sheshet “Zahir Pajaziti”, “Nënë Tereza”, “Skënderbeu” në Prishtinë.

Po ashtu është përuruar shtatorja e profesor Anton Çettës në oborrin e Universitetit të Prishtinës, dhe shtatorja e Faik Rexhepit, përmes të cilës, i pari i Prishtinës, Përparim Rama tha se skulptura tregon rezistencën paqësore mbarëkombëtare përkundër terrorit serb.

Me 28 nëntor shqiptarët festojnë Pavarësinë e Shqipërisë si dhe kujtojnë daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.  /TV Malisheva

Share.