Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka deklaruar se në këto 18 muaj janë angazhuar maksimalisht që ushtrinë ta avancojnë në nivelet më larta të kapaciteteve ushtarake, duke rekrutuar në vazhdimësi të rinj e të reja, të cilët i duhen më tepër atdheut se çdo vendi tjetër.

Mehaj ka shkruar në Facebook se në 18 muaj, kanë rekrutuar 1240 ushtarë më shumë, të rinj të gatshëm për të mbrojtur këto troje, e po punojnë në vazhdimësi drejt ngritjes së kuadrove profesionale duke shkolluar oficerë në akademitë më prestigjioze të botës.

“Krahas kapaciteteve profesionale kemi investuar edhe në blerjen e pajisjeve ushtarake. Deri në 96% më shumë se në vitet paraprake kemi investuar për të pajisur ushtrinë me mjetet më moderne luftarake tokësore, armë, dronë dhe sisteme mbështetëse të cilat të kombinuara me formacionet ushtarake të kuadrove profesionale përbëjnë element të fuqishëm të ushtrisë sonë. Janë realizuar qindra operacione dhe stërvitje të përbashkëta me forcat aleate, qindra kurse e trajnime individuale e kolektive me pjesëmarrjen e 3000 oficerëve, nënoficerëve, e ushtarëve tanë brenda e jashtë vendit. Në këto 18 muaj, përkrah ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ministria e Mbrojtjes arriti të realizojë suksesshëm misionin e parë paqeruajtës ndërkombëtar të FSK-së në Kuvajt. Po ashtu, Kosova për herë të parë ka marrë pjesë në cilësinë e shtetit pritës në ushtrimin më të madh ndërkombëtar “Defender Europe ’21”, të organizuar në rajonin e Ballkanit. Si partnere e besueshme e shteteve anëtare të NATO-s, Ministria e Mbrojtës dhe FSK ka vazhduar të ofroj mbështetje në evakuimin e refugjatëve afganë dhe në transportimin e ndihmave humanitare për popullin ukrainas, ngase misionet e NATO-s janë edhe misionet tona. Jemi të përkushtuar të kontribuojmë në ruajtjen e vlerave demokratike, stabilitetit dhe paqes në vend, rajon dhe më gjerë, andaj rruga jonë është e qartë, anëtarësimi në Kartën e Adriatikut, në Programin e Partneritetit për Paqe dhe në NATO janë destinacione ynë final. Përmes zjarrit të luftimit dhe sakrificës së përbashkët, rrjeti i aleatëve dhe partnerëve tanë na ofron një avantazh asimetrik që kundërshtari ynë nuk mund ta përballoj. Të rrënjosura thellë në vlerat dhe interesat tona të përbashkëta, shumë prej këtyre marrëdhënieve i kanë tejkaluar stuhitë e historisë dhe mbeten shtylla kurrizore e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla, andaj Republika e Kosovës ka të vulosur të ardhmen në Bashkimin Evropian, dhe Ushtria e Kosovës në NATO. Jemi të vendosur me vullnet të hekurt që të kalojmë pengesën, qoftë duke ngjitur malin ose duke qarë atë”, ka shkruar ai.

Sipas tij, misioni i tyre është mbrojtja e atdheut. Kurse, vizioni tyre është anëtarësimi në NATO.

Share.