Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka kërkuar nga Kuvendi miratimin në mënyrë të përshpejtuar të Projektligjit që i hapin rrugë miratimit të pagës minimale në 264 euro bruto apo 250 euro neto.

Pas mbledhjes së qeverisë, Murati tha se niveli i pagës minimale do të ndryshohet vit pas viti në bazë të parametrave ekonomikë.

“Me anashkalim të procedurave dhe procedurë të përshpejtuar mund të miratohen projektligjet edhe brenda javës. Pra, mund të kalojnë procedurat brenda javës, ashtu që konsiderojmë ne se do të ishte e rëndësishme dhe simbolike që ky projektligj të hynte në fuqi për datën 1 maj, kur është edhe Dita e Punëtorëve”, tha ai.

Murati theksoi se përmes plotësim-ndryshimit të ligjeve që përcaktojnë shumën e benificionit në lartësi të pagës minimale dhe procedurat e caktimit të pagës minimale kanë dashur të krijojnë siguri juridike të çfarëdo ndërlidhje të skemave sociale dhe pensioneve me pagën minimale, përfshirë edhe të veteranëve të luftës së UÇK-së.

“Pagesa për veteranët e luftës ka qenë e shkëputur që në vitin 2017, është projektligji që ka ndryshuar dhe plotësuar ligjin bazik, i cili e fshin nenin 18 që parasheh ndërlidhjen e kompensimit të pensionit të veteranit me pagën minimale. Për të evituar çfarëdo pasigurie juridike qoftë për pagesat e veteranëve, qoftë për pagesa të tjera të kategorive sociale kemi dashur të krijojmë një bazë të qëndrueshme juridike që mos të kemi telashe në procese gjyqësore”, tha Murati.

Nga ana tjetër, ministri Murati sqaroi edhe kush mund të përfitojë shtesat prej 100 eurove.

“Kriter do të jetë që gjitha pagat që janë primare nën vlerën 1000 euro do të mund të përfitojnë, ata që janë mbi nuk përfitojnë nga kjo mbështetje. Këtu do të përjashtohen po thuajse të gjitha pozitat drejtuese në nivel të institucioneve qeverisje të vendit”, tha ai.

I pyetur, Murati iu përgjigj edhe kritikave të opozitës.

“Ne si qeveri po vazhdojmë të punojmë për qytetarët dhe drejt përmbushjes së programit tonë. E kemi parë opozitën, të gjithë kanë qenë në pushtet dhe qeveri, qytetarët e dinë si kanë punuar ata dhe si janë shpërndarë milionat në të kaluarën, si është shpërndarë rritja e ekonomike aq sa ka pasur në xhepat e kujt. Ndërsa tash po e shohin mundësinë të bëjnë krahasimin që kjo qeveri të gjitha të hyrat që i mbledh dhe taksat i kthen te qytetarët”, tha ai.

Ndërsa bëri të ditur se janë afër finalizimit të Projektligjit për paga./TV Malisheva

Share.