Një aeroplan i EasyJet për në Mbretërinë e Bashkuar nga Polonia duhej të devijohej në Republikën Çeke të dielën për shkak të një raporti për një “bombë të mundshme” në bord.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, fluturimi i linjës ajrore britanike me kosto të ulët EZY6276 po nisej nga Krakovi në Bristol të dielën në mbrëmje, por piloti u detyrua të bënte një ulje emergjente në mënyrë që forcat e rendit të “sqaronin dyshimet për eksplozivë”.

Zyrtarët e aeroportit të Pragës konfirmuan në një postim në Twitter se aeroplani u ul i sigurt në kryeqytetin e Republikës Çeke në orën 22:50, sipas kohës lokale.

“Në orën 22:50, një aeroplan i devijuar u ul i sigurt në Aeroportin e Pragës në linjën Krakov-Bristol. U raportua për një bombë të mundshme në bord”, thuhej në Twitter. “Të gjitha veprimet për të garantuar sigurinë e pasagjerëve dhe të gjithë trafikut ajror po kryhen aktualisht nga policia”,

Incidenti u konfirmua edhe nga faqja zyrtare në Twitter e policisë së Republikës Çeke: “Teknikët tanë të skuadrës së bombave janë aktualisht në vendngjarje duke hetuar një raport për një mjet të mundshëm shpërthyes”.

Aeroporti i Pragës tha më vonë se asnjë objekt i rrezikshëm nuk ishte gjetur në aeroplan.  /TV Malisheva 

Share.