Pesticidet në bujqësi, pa kontroll/ KLSH: Siguria ushqimore dhe fitosanitare nuk është e plotë në Shqipëri

Siguria ushqimore vihet në rrezik nga mungesa e laboratorëve që duhet të analizonin pesticidet, ky është konkluzioni që ka nxjerrë KLSH në raportin e tij për periudhën janar-shtator 2022. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Shqipëri, sipas KLSH nuk ka hartuar një program strategjik monitorimi që kontrollon Produktet e Mbrojtjes së Bimëve si plehrat kimike dhe pesticideve.

Kapacitetet institucionale të MBZHR-së në fushën e vlerësimit të riskut dhe monitorimit të mbetjeve, kritereve mikrobiologjike dhe ndotësve, si dhe kapacitetet administrative të ISUV sa i takon inspektimeve dhe kontrolleve, rezultuan të jenë të kufizuara. Si pasojë, zbatimi i standardeve të sigurisë ushqimore dhe fitosanitare nuk realizohet në mënyrë të plotë.

Farmacitë bujqësore në mënyrë krejtësisht të ligjshme tregtojnë kimikate që janë jashtë standardit. Fermerët detyrohen që frutat dhe perimet t’i spërkasin më shumë se një herë me pesticide, pasi ilaçi që duhet të luftojë sëmundjet nuk e jep efektin të menjëhershëm. Këto produkte jo cilësore që vënë në rrezik shëndetin e konsumatorit shqiptar, kjo sepse institucionet që duhet të garantojnë ushqim të sigurtë nuk i analizojnë produktet e mbrojtjes së bimëve si pesticide, plehra kimikë, fungicide dhe herbicide.

Mos përmbushja nga ana e Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterenarisë e detyrimit ligjor mbi marrjen e mostrave dhe kryerjen e analizave brenda afatit të parashikuar, ose moskryerja fare e tyre (gjatë periudhës 2018- 2019), ka ndikuar që Autoriteti Kombëtarë i Ushqimit të mos kryejë në kohë marrjen e masave për bllokimin e tregtimit të PMB-ve që kanë rezultuar “Jo konform”, duke ekspozuar kështu konsumatorin përpara riskut të përdorimit të tyre.

Por gjithashtu thekson në MBRZH mungon sektori që duhet të kontrollojë plehrat kimikë. Kjo bën që pesticidet që janë hequr nga lista e OMB të BE të futen në Shqipëri të me një tjetër etiketë atë të plehrave kimike.

Një rast të tillë e ka denoncuar disa vite më parë Top Channel, por Silikon Mix nuk është i vetmi pesticid i kamufluar. Në kushtet kur, mbrojtja e shëndetit të njeriut dhe e mjedisit garantohet jo vetëm, nga përdorimi i PMB-ve por dhe nga produktet plehëruese për ushqyerjen e bimëve, të cilat përmirësojnë cilësitë fiziko-kimike dhe rrisin pjellorinë e tokës, mungesa e një sektori të dedikuar për produktet plehëruese si dhe e akteve nënligjore në këtë fushë, ka lënë jashtë vëmendjes, monitorimin e këtij procesi duke mbartur risqe për garantimin e sigurisë ushqimore dhe atë mjedisore.

 

Share.