“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë së martës, pasi përfundoi takimin e shumëpritur dhe shumë përfolur me Këshillin grevist, lidhur me grevën në institucionet arsimore, u nis direkt për në Shqipëri për një takim me kryeministrin Edi Rama.

Takimi i cili u tha se ishte urgjent, kishte të bënte me sigurinë kibernetike, sifdën e energjisë në ditët dhe javët në vijim, si dhe takimin e Berlinit.

Kështu deklaroi të mërkurën kryeministri Albin në një konferencë për medie.

E sipas njohësit të marrëdhënieve ndërkombëtare, prof. dr. Enver Bytyçi, ky takim erdhi krejt papritur duke qenë se nuk ishte lajmëruar më herët.

Prof. dr. Enver Bytyçi

“Sot kryeministri i Kosovës, zoti Kurti, udhëtoi me urgjencë drejt Tiranës për t’u takuar e drekuar me homologun e tij të Shqipërisë, zotin Rama. Nuk pati njoftim të mëparshëm! Nuk pati sinjale afrimi midis tyre! Nuk kishte asnjë mesazh të një ndodhie të tillë. Takimi erdhi shumë papritmas. Si një rrufe në qiell të pastër.

Pikërisht urgjenca e këtij takimi na bën që të hamendësojmë se çfarë fshihet pas këtij takimi. Çfarë ndodhi? Si ndodhi që Albin Kurti la konferencën për shtyp dhe në pak më shumë se 2 orë u gjend në oborrin e vilës 30 qeveritare në ish-bllokun komunist të diktaturës. Edhe takimi në atë vilë zgjati po aq sa edhe rruga Prishtinë-Tiranë! Kjo është domethënëse!

Po përse ndodhi kjo? Urgjenca na shpjegon shumë gjëra. Në paraqitjen publike u tha se në këtë takim është folur për shumë gjëra, krizën energjetike, hekurudhën Tiranë-Prishtinë, Portin e Durrësit e ku e di unë se çfarë. Më duket se të dy bashkëbiseduesit kanë vendosur të fshehin thelbin e bisedës së tyre gjatë këtij takimi, sepse as hekurudha, as porti, as kriza energjetike, as marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë nuk janë çështje urgjente që detyrojnë një kryeministër të vizitojë papritmas një vend tjetër”, tha profesori. /A news24

Ai ka rikujtuar faktin që, Rama e Kurti nuk kanë relacione të ngushta me njëri tjetrin, siç kishin Thaçi e Rama.

Sepse kryeministri i Kosovës nuk takohet me kryeministrin e Shqipërisë për t’i shprehë atij servilizmin dhe varësinë e tij psikologjike e politike.

“Kurti nuk erdhi në Tiranë, se atij I tha Edi Rama “Hajde këtu, se kështu dëshiroj unë”! Ose “Hajde këtu, sepse kam disa habere të mira për ty dhe do të bëjmë paqe midis nesh”! Nuk ishte ofertë e kryeministrit të Shqipërisë ajo vizitë e shpejtë. Gjithashtu nuk kishte një ftesë për zotin Kurti nga ana e zotit Rama! Nuk kishte as respektim të protokollit. Pra nuk qe një vizitë zyrtare. Ndërkaq zoti Kurti dhe zoti Rama në marrëdhëniet personale nuk kanë relata të ngushta, siç ishin ato Thaçi-Rama, që të bashkoheshin e të drekonin miqësisht me njëri-tjetrin.

Përkundrazi për Edi Ramën Albin Kurti është një kokë-dhimbje e përhershme! Thjeshtë prania e tij e shqetëson. Sepse kryeministri i Kosovës nuk takohet me kryeministrin e Shqipërisë për t’i shprehë atij servilizmin dhe varësinë e tij psikologjike e politike. Rama i ka inat të gjithë ata që janë alternativë ndaj tij. Dhe Albin Kurti për çdo ide dhe koncept politik të Ramës sa I përket ngjarjeve dhe marrëdhënieve në rajon ka alternativën e tij”, u shpreh ai.

Porofesor Bytyçi beson se ky takim ka të bëjë diçka me sigurinë e Shqipërisë dhe Kosovës.

Kjo pasi sipas tij, fakti që përmenden arsye ordinere, të çon në mendimin se fshihet diçka që mund të shkaktojë panik te njerëzit.

“Albin Kurti mendoj unë ishte në Tiranë për arsye të tjera. Ai u thirr në Tiranë sapo përfundoi një bisedë telefonike midis Antony Blinken dhe Edi Ramës. Besoj se ka të bëjë diçka me sigurinë e të dy vendeve, Shqipërisë dhe Kosovës. Ndoshta ne ndonjë goditje të terrorizmit Iranian. Nuk mund të thuhet diçka e sigurt. Por fakti që përmenden arsye ordinere, të çon në mendimin se fshihet diçka që mund të shkaktojë panik te njerëzit.

Pra, hakërrimi i të dhënave të Shqipërisë dhe përpjekjet për të hakërruar edhe ato të Kosovës, është e mund të jetë alibia për të tërheq vëmendjen dhe mos vënë re ndonjë akt terrori kundër vendeve tona. Nuk është çudi të ndodhi kjo. Prandaj dhe njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm. Nuk është e lehtë të kesh aleat dhe mik Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Armiqtë e saj në çdo kohë mund të të rrezikojnë. Aq më tepër të bëhesh strehë e opozitës politike iraniane! Që kur është pranuar kjo, duhej ditur se do përballej me hakmarrjen e një vendi të papërgjegjshëm, si Irani”, potencoi Bytyçi.

Më tej, ai shtoi se ndërsa ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike e Shqipërisë me Iranin mund të shihet si akt lufte nga ana e Iranit.

“Lufta kibernetike është tani më e mundshmja. Prandaj besoj se kjo është arsyeja pse zoti Kurti u thirr me urgjencë në Tiranë. Dhe atë nuk e thirri Edi Rama. E detyroi të vinte domosdoshmëria e ndarjes së një informacioni të një rëndësie të veçantë”, u shpreh ai.

Profesori po ashtu nuk e përjashtoi mundësinë që zoti Rama të ketë bërë edhe ndonjë truk.

“Atij i pëlqejnë veprimet konspiracioniste. Kënaqet kur njerëzit fillojnë e merren me interpretime. Është si ata intrigantët që hedhin një gur në pus dhe hidhen 100 të tjerë e nuk e nxjerrin dot. Ka dëshirë të luajë me opinionin. Kjo i shërben më së shumti që të fshehë aferat korruptive të vetat e të anëtarëve të kabinetit të tij.

Por gjithsesi, nuk mendoj se zoti Kurti erdhi në Tiranë pa patur një arsye të fortë. Ata e kanë detyrë të jenë transparent me qytetarët. Të tregojnë se cila ishte arsyeja e vërtetë e këtij udhëtimi të papritur. Madje deri në detaje. Ndryshe bëjnë një lojë, e cila pëlqehet nga liderë autoritarë, që duan të shndërrohen në mit. Të qenit mistik, është mënyra e shndërrimit në mit të diktatorëve”, përfundoi Bytyçi.

/TV Malisheva

Share.