Nuk janë të pakta nënat e reja gjidhënëse, të cilat kanë dilema se a mund të agjërojnë në muajin e Ramazanit, tashmë që bebet e tyre ushqehen nga gjiri i tyre.

Këtë dilemë e ka edhe një nënë e re 26 vjeçare me inicialet H.G., e cila për Nacionalen thotë se përkundër që ka agjëruar me vite të tëra në muajin e Ramazanit, këtë vit nuk po e praktikon një gjë të tillë ngase ka frikë se djalit të saj 6 muajsh, mund t’i shfaqet ndonjë problem nga mosushqyerja e mirë.

‘’Që nga mosha 16 vjeçare kam qenë agjëruese e rregullt, gjithmonë e kam praktiku këtë pjesë. Por, që nga koha kur jam ba nanë, kam fillu me mendu ma shumë për beben, sesa për veten. Këtë vit nuk kam rreziku me fillu agjërimin, pasi që djalin e ushqej me gji. Jam friku se mundet mos me u ushqy mirë, mbasi une tanë ditën nuk ushqehem. E di që shumë nana e agjërojnë muajin e shenjtë të Ramazanit, po unë nuk kam tentu, e kam mendu shëndetin e djalit’’, thotë H.G.

Mjekët nuk e rekomandojnë agjërimin te nënat gjidhënëse

Por, agjërimin te nënat gjidhënëse, sidomos në vitin e parë, nuk po e rekomandojnë as mjekët. Pediatrja Rufadie Maçestena Maxhuni thotë se nëse nëna nuk ushqehet mirë, as fëmija nuk do të jetë i shëndetshëm.

‘’Ne (mjekët), i këshillojmë nënat gjidhënëse që ushqimi i fëmijeve të jetë sa më i pasur me materie ushqyese, kjo në rend të parë gjiri i nanës, e pastaj nga 6 muaj shtesa. Pra, në vitin e parë nuk është e preferueshme që nëna e cila ushqen me gji fëmijën të agjërojë. E pas vitit të parë, kur fëmija nuk varet nga gjiri i nënës, nëna mund të agjërojë. Por, prapë duhet të jetë e kujdesshme që gjatë kohës kur është e lejuar të konsumojë ushqim, të ushqehet mirë dhe me kalori’’, thotë pediatrja Rufadie.

E nëse nëna që është gjidhënëse agjëron, bebes mund t’i shfaqen këto telashe, për të cilat tregon pediatrja Rufadije.

‘’Beba do të vuajë për ushqim të bollshën, do të jetë i shqetësuar, qan, nuk do të përparojë apo shtojë peshë, do t’i bjerë imuniteti, e kështu me radhë, deri te sëmundjet e ndryshme’’, shton pediatrja.

Agjërimi te nënat gjidhënëse, përcaktim i mentailitetit shoqëror

Agjërimin e nënave gjidhënëse, sociologia Bukurije Rrustemi e konsideron si përcaktim të ndikimit nga mentaliteti shoqëror.

‘’Gratë ndikohen nga gratë e tjera gjidhënese të cilat kanë agjëruar në kohët e mëhershme. Ka shumë familje ku besimi fetar është i madh dhe mospërfillja e Ramazanit është turp dhe e patolerueshme, madje edhe për gratë gjidhënëse. Lehonat duhet të bëjnë gjumë të rregullt dhe të pushojnë sa më shumë. Në këtë rast agjërimi do ta rëndonte gjendjen e nënës’’, thotë sociologia Rrustemi.

Por çka thotë feja islame për këtë kategori?

Prishjen e agjërimit e lejon feja islame kur gruaja është gjidhënëse dhe frikësohet për veten ose fëmijën. Si dhe kur ajo është shtatëzënë dhe frikësohet për shëndetin e saj ose të bebit.

Sipas fesë, personat të cilët janë të liruar nga agjërimi janë personat të cilët vuajnë nga sëmundjet e rënda, udhëtojnë, përgatiten për luftë për ta ngritur fjalën e Allahut të Lartësuar si dhe në rast të shpëtimit të ndokujt nga uji ose zjarri.

/TV Malisheva

Share.