Marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Rusisë nuk janë më “dashuri e pakushtëzuar”, raporton shërbimi publik zviceran SRF. Siç thonë ata, ka shenja të kthimit të shpinës nga Moska, por kjo nuk do të ndodhë brenda natës.

Mësohet se raketat e prodhimit serb kanë përfunduar në arsenalin e Ushtrisë ukrainase, SRF-ja në një analizë radiofonike të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Moskës.

Edhe pse Beogradi kishte thënë se municioni është eksportuar në Turqi dhe se Serbia nuk ka të bëjë me rishitjen që ishte bërë përmes Sllovakisë në Ukrainë, megjithatë çështja shkaktoi pakënaqësi në Moskë.

“Nuk ia shitën materialin direkt Ukrainës, por nuk u kujdesën shumë që të mos përfundonte atje”, thotë Armina Galijash, eksperte për Ballkanin Perëndimor nga Universiteti i Gracit.

Siç thotë ajo, marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Rusisë janë më pragmatike.

“Ata janë disi të kujdesshëm dhe asnjëherë të hapur. Nuk është dashuri pa kushte”, pohon ajo.

Sipas SRF-së, dashuria serbe për Rusinë është vënë në skenë vitet e fundit si “vëllazëri sllave dhe ortodokse”. Ky narracion është nxitur nga mediat dhe politikanët në Beograd, së bashku me qëndrimet anti-perëndimore.

“Këtë qëndrim e tregojnë edhe sondazhet në të cilat shumica e serbëve fajësojnë NATO-n për luftën në Ukrainë. Megjithatë, Serbia nuk e mbështet Rusinë pa kushte. Vendi ka dënuar vazhdimisht luftën në Ukrainë dhe ka theksuar se nuk i njeh aneksimet ruse”, raporton SRF-ja.

Sipas Galijashit, lufta në Ukrainë po shkon kundër interesave të Serbisë.

“Para së gjithash, ngase gjeopolitikisht, shumë gjëra po ndryshojnë. Ka ardhur koha për të marrë qëndrime të qarta. Ai vetë krijoi ndjenjën pro Putinit dhe pro-ruse në vend. Tani duhet të përpiqet vetë se si të dalë prej saj”, thotë Galijash.

Media zvicerane thekson se është bërë gjithnjë e më e vështirë kalimi nga Lindja në Perëndim, gjë që ishte “një element qendror i politikës së jashtme serbe në vitet e fundit”.

“Ka indikacione se Serbia mund të largohet nga Rusia: presidenti Vuçiq u ankua për ndikimin rus në vend dhe konfirmoi se Serbia është në rrugën e saj drejt BE-së”, vëren radioja zvicerane duke shtuar se “kjo nuk do të ndodhë brenda natës”.

“Jo vetëm sepse Serbia është e varur nga gazi rus, por edhe sepse Rusia gëzon simpati të madhe në mesin e popullatës serbe. Një rol të madh në këtë ka luajtur edhe Vuçiq”, përfundon SRF.

/TV Malisheva

Share.