Gazetari Ridvan Berisha thotë se islami politik është kërcënim objektiv për identitetin e sotëm dhe të nesërm shqiptar.

Ai ka përmendur një tregim të Vaso Çubrilloviq, i cili kishte avokuar për dëbimin e shqiptarëve, ku ky i fundit kishte thënë se çështja fetare, islamizimi masiv, është e vetmja rrugë që i largon shqiptarët nga identiteti kombëtar, transmeton TV Malisheva.

Berisha ka shkruar se shqiptarët, identitetin fetar duhet ta mbajnë për vete e mos ta shfaqin jashtë duke organizuar shou nëpër terrene të hapura publike për kryerjen e riteve fetare. Sipas tij, dikush duhet t’i ndalojë këto dhe të tjera organizime fetare.

“Ku jemi sot? Përse një vend me shumicë myslimane ka nevojë të vajtojë për shtypje e diskriminim? Nga kush po shtypen? Përse kanë nevojë prijësit fetarë islam të organizojnë shou nëpër terrene të hapura publike për kryerje te riteve fetare? Përse sot më 2022 çështja e besimit islam mbisundon vëmendjen kolektive? Përse mbijetesën, prijësit fetarë e shohin duke bërë propagandë të islamit politik? A mund të ngrehen dyshime serioze për naivitetin e tyre apo janë vërtetë me vetëdije në shërbim të kauzave të rrezikshme për karburant financiar?”, ka shkruar Berisha në Facebook.

“Është e papranueshme për elitën politike dhe akademikët t’i subordinohen këtyre skemave, padyshim të dëmshme, të rrezikshme për identitetin tonë si shqiptarë”, shkroi tutje ai.

Në fund, ai ka përmendur edhe heroin Gjergj Kastrioti Skëndërbeu duke bërë apel që identitetin shqiptar që e mbrojti ai dikur, ta mbrojnë të tjerët tani. /Reporteri.net/.

Shkrimi i plotë:

Midis një vale shqetësimesh për aktualitetin e tashëm, përse dyshoj se islami politik është kërcënim objektiv për identitetin e sotëm dhe të nesërm shqiptar?!

Ja një rrëfim i Vaso Çubrilloviq, njëri nga arkitektët serb të planeve për dëbimin e shqiptarëve dhe asimimin e identitetit tonë.

“Boshtin kurrizorë të nacionalizmit shqiptarë e thyen vetëm çështja fetare, e sidomos islamizimi i tyre.
Islamizimi masiv i shqiptarëve është e vetmja rrugë që i largon nga çështja kombëtare dhe i hasmon deri në shfarosje mes tyre. Andaj në këtë drejtim duhet bashkëpunim miqësorë dhe i ngushtë me Turqinë”.

Ku jemi sot?
Përse një vend me shumicë myslimane ka nevojë të vajtojë për shtypje e diskriminim?
Nga kush po shtypen?
Përse kanë nevojë prijësit fetarë islam të organizojnë shou nëpër terrene të hapura publike për kryerje te riteve fetare?
Përse sot më 2022 çështja e besimit islam mbisundon vëmendjen kolektive?
Përse mbijetesën, prijësit fetarë e shohin duke bërë propagandë të islamit politik?
A mund të ngrehen dyshime serioze për naivitetin e tyre apo janë vërtetë me vetëdije në shërbim të kauzave të rrezikshme për karburant financiar?

Është e papranueshme për elitën politike dhe akademikët t’i subordinohen këtyre skemave, padyshim të dëmshme, të rrezikshme për identitetin tonë si shqiptarë.

Dikush duhet t’u thotë shkurt e shqip, STOP, STOP, STOP!

Gjergj Kastrioti (Skenderbeu), e mbrojti identitetin prej shqiptari, duhet me çdo kusht ta mbrojmë e kultivojmë edhe tani!

Kushdo, cilindo besim të zgjedh, i lirë është, por ta mbajë për vete pa bërë shou e spektakël rrugësh e në medie!

Share.