Matthijs de Ligt kishte zbuluar se Cristiano Ronaldo i kishte kërkuar atij t’i bashkohet Juventusit në një bisedë në fushë pas finales së Ligës së Kombeve, të cilën e fitoi Portugalia. Mirëpo, tani Ronaldo ka thënë se këtë gjë e kishte bërë si shaka.

Pas fishkëllimës së fundit të gjyqtarit, Cristiano Ronaldo dhe Matthijs De Ligt u panë duke qeshur, prandaj qendërmbrojtësi i Ajaxit u pyet se çfarë kishte biseduar me sulmuesin e Juventusit, transmeton Gazeta Express.

“Ronaldo më kërkoi t’i bashkohem Juventusit. U trondita pak nga kjo pyetje, prandaj qesha. Nuk e kuptova atë në fillim”, kishte thënë De Ligt për NOS.

Mirëpo, kur së fundi u pyet se cilët lojtarë duhet t’i transferojë tani Juventusi, Ronaldo u përgjigj se ai nuk tenton të ndikojë në vendime të tilla, duke shtuar se mesazhi i tij për De Ligtin kishte qenë shaka.

“Unë dua ta qartësoj se kur i thashë Matthijs de Ligtit të vijë në Juventus pas finales së Ligës së Kombeve me Holandën, unë po bëja shaka. Unë nuk do të tentoja kurrë ta ndikoj një trajner apo drejtues për ta blerë dikë. Por, jam shumë i lumtur që ai na ka zgjedhur neve”, tha Ronaldo.

Share.