Në nji ndër numrat e ‘Shêjzave’, Martin Camaj kishte me shênjue disa pohime me shumë randësi për kujtesën (e mungueme tash) të shqiptarëve. Bahet fjalë për nji recensë të ‘Librit të Burgut’, që sot mbushë plot 60 vjet nga koha e tij e botimit. Teksti asht i rrastë si shumica e punimeve për leximet e librave në atë revistë, drejtue nga Ernest Koliqi—ai që i nuhati i pari lëvizjet politike të kuqaloshave. Si e lexonte Martin Camaj kolegun e tij Arshi Pipa, kur të dy njiherësh ishin në ekzil prej diktaturës komuniste shqiptare? Ai pohon për këtë vepër: “Mâ së parit ky libër âsht nji dokument njerzuer shum me randësí” (‘Shêjzat’, IV/1-2, 1960, f. 52). Shumë vite ma vonë ky pohim i Camajt rezultoi i ngjashëm me togun ‘letërsia dokumentative’ që u pagëzue ndër qarqet akademike shqiptare. Pagëzimi u krye po sakramendet e tjera në programet universitare nuk vijuen.

Ma tej ky autor thotë: “Vepra, si Libri i Burgut, janë dëshmí jo vetëm për né sot jashtë atdheut, por edhe për pasardhësit se nji pjesë mjaft e madhe e popullit shqiptar, mun atëherë kur mâ shum flitej për shlirim e lirí, qe shtypë ndër burgje e kampe me shijim sadist” (ibid). Pasardhësit erdhën. Do thithën palcën dhe shtalpin e kritikëve letrarë që bocat e veta i kalonin për korrigjim kah Komiteti i Partisë, do tjerë heshtën sikurse edhe sot e kësaj dite, do tjerë mandej çuen dy gishtat për liri, shumë kësosh u shndërruen në kushtet e pluralizmit e janë aty, si gjithnji. Universitetet shqiptare me orientim nga shkencat humane nuk e kanë sot e kësaj dite në program këtë vepër. Departamentet e letërsisë jo se jo. Arshi Pipa për shumicën e opinionit kritik (pra që merr rrogë shteti për këtë punë) nuk e njehin këtë autor si poet. Me pikatore si kritik, kur ia gjejnë rrëfanën me e lidhë me ndonji argument të vetin, ndoshta… Dhe a dini pse? Sepse kritika letrare shqipe asht e njianshme, asht kritikë e profitit, e paktit. Nji pjesë kanë akses me i xanë studiot televizive me nji mesazh celulari, e me u gërvallë tue folë për ‘vrima’ e ‘birukla’ në letërsi po me aq zell sa teoremat gravitacionale të vrimave të zeza. Klani i fol-se-të flasit (ose i m’ruej-se po t’ruej) shqiptar po zapton—në mos i ka zaptue—mediat vendase. Demokracia mediatike në Shqipni thuejse asht inekzistente. Personalisht këtë shije e kam provue sa herë derisa vendosa me u preokupue për gjana tjera jashtë Shqipnie, që lidhen padyshim me letërsinë shqipe.

‘Libri i Burgut’ që duhet të ishte vepra ma kanonike e letërsisë së burgut që si gjini njihet qysh me Boecin në veprën e tij ‘Ngushëllimi i filozofisë’, shek. VI mbas K., sot për sot nuk asht pjesë e programeve në universitet. Me studentët e mi, në Universitetin e Tiranës, kemi pasë rastin me u ndalë në disa orë leksioni e seminari, nji zgjidhje funksionale (jashtë programit) që u dakordsue me titullaren e landës Letërsia Moderne Shqipe. Shumë pak në landën me zgjedhje Historia e Sonetit Shqip, drejtue prej autorit të këtyne rreshtave, sepse për ‘parime demokratike’ përgjegjësja e departamentin e pau të arsyeshme me e mbyllë këtë kurs, kur unë isha në nji rezidencë si shkrimtar në Beograd (2018). Kur u ktheva banketi kishte mbarue, megjithëse sapo e mora vesh lajmin i shkrova organeve drejtuese-hierarkike. Gjithçka ishte e kotë. Dinamika e mësimdhanies kishte vazhdue, në nji mbledhje postume, disa s’bzanë po veç gërvishtën fytin, do folën po fjala nuk xuni vend sikurse nuk kishte xanë as për punët e veta… si përfundim ra edhe Pipa (si shumë autorë të tjerë) bashkë me mue.

Po cilët janë pasardhësit shqiptarë, të cilëve u drejtohet Martin Camaj? Mos vallë Camaj i ka folë veç vetes, si shqiptar që mbeti për fat të keq përgjithnji jashtë atdheut? E këtë nuk e kam vetëm për kuptim fizik. Sigurisht nuk janë këta pasardhës të sotëm, sepse me qenë pasardhës don me thanë që me ndërgjegje me u përkitë rrajëve tueja të kujtesës. Thanë e stërthanë… nji vend pa memorie asht ma keq se vetë diktatura që e ka shkatërrue atë. Le të kapim dy breza, i pari po themi asht sa koha e vetë librit, pra ka lindë përnjiherë me librin e Pipës: d.m.th 60 vjeç; i dyti asht sa gjysa e këtij brezi, lindë pak a shumë me ramjen e komunizmit shqiptar, pra 30 vjeç. Matni sa prej tyne japin mësim vetëm në departamente letërsie (Shqipni). E në fund sa prej tyne e zhvillojnë konkretisht këtë vepër. Shuma ka me dalë zero, sepse çdo numër që shumëzohet me zero jep po zero.

Testamendi fjalëpak i Martin Camajt, drue se ka mbetë vetëm jashtë Shqipnisë së sotme neo-komuniste, jashtë nji vendi që nuk ishte projekti dhe investimi i tyne dhe që në mënyrë ciklike prodhon largime të motivueme. Katastrofën shoqnore e intelektuale dhantë Zoti me e shpëtue ata të cilëve u asht drejtue gishti ‘i drejtë’ para hundëve.

Vepra ‘Libri i Burgut’ e disa të tjera—shqipe—si ajo duhet me u dëshmue me forcë para kulturave të hueja, dhe me ba pjesë në Kulturën e Memories Botënore. Nëse nuk flasim për vete nuk flet kush për ne, ma fort se foli e veproi bota gjatë izolimit enverist. Ma fort se u kujtue Europa për nji vend në zemër të saj. Ajo çka po përsëritet asht vetizolimi kulturor vetëm e vetëm për shkak të nji mosfunksionimi cilësor në programet shkollore e universitare, sa i takon kujtesës historike-kombtare, dhe kryesisht prej nji kritike e cila në thelb ka mbetë simbas protokolleve zyrtare të regjimit të kaluem./ Sbunker . Lisandri Kola

 

Share.