Kosova dhe Serbia janë ende larg pajtimit për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes bazë dhe aneksit të tij. Nga Qeveria e Kosovës thonë se kanë dorëzuar komentet për propozimin e ndërmjetësit të dialogut, Miroslav Lajçak për zbatimin e marrëveshjes, por theksojnë se pala serbe nuk është konstruktive për të ecur tutje në zbatimin e ujdisë së dakorduar. Në partinë në pushtet theksojnë se marrëveshja duhet të zbatohet në tërësi dhe s’duhet të ketë diferencim për zbatimin e nenit shtatë, ku flitet për vetëmenaxhim. Në anën tjetër, nga Bashkimi Evropian nuk treguan  se pas pranimit të komenteve të palëve si do të bëhet sekuencimi dhe metodologjia për zbatimin e marrëveshjes.

Nga zyra e zëvendëskryeministrit, njëherësh kryenegociatorit për dialog, Besnik Bislimi theksojnë se Qeveria ka dorëzuar komentet e veta për dokumentet e propozuara për zbatimin e marrëveshjes dhe se tani janë në pritje sa i përket takimit të radhës për diskutimin e tyre.

“Siç edhe është premtuar pas takimit të 15 majit në nivel të kryenegociatorëve nga zëvendëskryeministri Bislimi, komentet e Qeverisë në dokumentet e propozuara janë dërguar të premten e javës së kaluar. Sa i përket takimit të radhës, në momentin që do të vendoset një i tillë, do të mbaheni të informuar. Konstruktiviteti ynë në proces, duhet të harmonizohet me konstruktivitet edhe nga pala tjetër, i cili po vijon të mungojë, në mënyrë që të ecim tutje me zbatimin e marrëveshjes”, thotë për KosovaPress, Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Bislimi.

Zbatim të marrëveshjes në tërësi kërkon edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha, i cili thotë për KosovaPress se Bashkimi Evropian nuk duhet të insistojë që neni shtatë të zbatohet i pari, por duhet në mënyrë të planifikuar dhe sekuencuar të zbatohet e tërë marrëveshja.

“Tani duhet të bëhet planifikimi apo detajizimi se si duhet të shkohet me hapa tutje. Natyrisht interesi është që kjo marrëveshje të zbatohet në tërësi, por sa i përket hapave, duhet të jetë mirë i planifikuar dhe nuk duhet të jetë një kusht mbi gjitha kushtet të tjera, apo një hap mbi të gjitha hapat të tjerë. Duhet të ketë një kronologji dhe logjik të hapave që duhet të bëhen. Arsyet janë politike, por edhe të tjera që të sigurohet besimi në proces, pasi Serbia i ka shkel tetë pika të marrëveshjes dhe në anën tjetër kërkon që një pikë që asaj i intereson më shumë të zbatohet e para. Kjo nuk është logjika e duhur e zbatimit të marrëveshjes dhe mund të cenojë zbatueshmërinë tutje të kësaj marrëveshje”, thekson ai.

Ndërkaq, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi i bënë thirrje kryeministrit Kurti që të shkojë të raportojë në Kuvend për zbatimin e marrëveshjes bazë me Serbinë.

“Ne si LDK kemi pritur që të ketë një marrëveshje përfundimtare, jo një marrëveshje bazë siç është arritur nga kryeministri. Po ashtu, kemi pritur që të formohet një Asociacion me të gjeturat e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Por, tani po e shohim se kryeministri Kurti i ka shkelur të gjitha parimet me të cilat ka ardhur në pushtet…Është dashur të zbatohet në tërësi edhe pse i ka disa nene problematike, mirëpo atë duhet me bërë kryeministri dhe me ardh në Kuvend se çka po dëshiron me zbatu dhe çka jo”, thekson Krasniqi.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen bazë më 27 shkurt në Bruksel dhe janë pajtuar për aneksin e zbatimit të saj më 18 mars në Ohër, megjithatë, palët ende nuk kanë gjetur pajtueshmëri për planin e zbatimit të marrëveshjes.

Para dy javësh, në Kosovë dhe Serbi ka qëndruar emisari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirsolav Lajçak, i cili ka dhënë propozime për zbatimin e marrëveshjes në tërësi, përfshirë atë për Asociacionin. Mirëpo, nga institucionet në Kosovë është përjashtuar mundësia e krijimit të një metodologjie të veçantë për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes, pa pasur një plan të dakorduar për zbatimin në tërësi të Marrëveshjes së Brukselit.

Ndërkohë, nuk dihet nëse zhvillimet e fundit në veri dhe mundësia për përshkallëzim të situatës atje mund të prolongojë zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

/TV Malisheva

Share.