Shqetësimet u rritën më 18 maj për mirëqenien e më shumë se 250 ushtarëve ukrainas, të cilët u dorëzuan te forcat ruse në fabrikën e çelikut, Azovstal, në Mariupol, pas disa javësh rezistencë.

Dorëzimi i tyre i ka dhënë fund një prej rrethimeve më të tmerrshme të luftës së Rusisë në Ukrainë. Kjo i lejon presidentit rus, Vladimir Putin, të pretendojë një fitore të madhe në ofensivën në Ukrainë, që shumë analistë ushtarakë thonë se ka ngecur.

Autobusët me ushtarë u larguan nga fabrika në fillim të kësaj jave dhe u përcollën nga makina të blinduara ushtarake ruse. Pesë autobusë arritën në qytetin Novoazovsk, që kontrollohet nga rusët. Moska tha se luftëtarët e plagosur do të marrin trajtim mjekësor.

Shtatë autobusë me luftëtarë ukrainas nga Azovstali kanë arritur në burgun e rihapur në Olenivka, afër Donjeckut, që kontrollohet nga rusët, raportoi Reuters.

Rusia tha se të paktën 256 luftëtarë ukrainas kanë “dorëzuar armët”, përfshirë edhe 51 luftëtarë të plagosur rëndë. Ukraina tha se 264 ushtarë, përfshirë 53 të plagosur, janë larguar nga Azovstali.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë ka publikuar video ku u shfaqën luftëtarët duke u larguar nga fabrika, disa prej të cilëve u bartën me barela. Po ashtu u shfaqën edhe luftëtarë të tjerë që dilnin nga fabrika me duart lart, teksa forcat ruse i kontrollonin.

Teksa të dyja palët kanë folur për një marrëveshje, sipas së cilës të gjitha trupat ukrainase do të largoheshin nga Azovstali, pak detaje janë bërë publike, përfshirë edhe nëse luftëtarë të tjerë ende gjenden brenda fabrikës. Po ashtu ende nuk dihet nëse Rusia dhe Ukraina janë marrë vesh për ndonjë formë të shkëmbimit të të burgosurve.

Kremlini tha se Putini personalisht ka garantuar se të burgosurit do të trajtohen sipas standardeve ndërkombëtare, ndërkaq zyrtarët ukrainas thanë se ata e kanë lënë të hapur mundësinë e këmbimit të pengjeve ruse.

Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, tha se Kievi ka synim që të organizojë një këmbim të të burgosurve, veçmas të luftëtarëve të plagosur, sapo që kushtet të stabilizohen.

Ndërkaq, zëvendësambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Dmitry Polyansky, tha se nuk ka pasur një marrëveshje për diçka të tillë, duke shkruar në Twitter: “Trupat në Azovstal janë dorëzuar pa kushte”.

Kundër këmbimit të ushtarëve janë shprehur edhe ligjvënësit rusë. Vyacheslav Volodin, kryetar i Dumës Ruse, Dhomës së Ulët të Parlamentit, tha se “kriminelët nazistë nuk duhet të këmbehen”.

I formuar më 2014 si milici e ekstremit të djathtë për të luftuar separatistët pro-rusë, Batalioni Azov, që ishte brenda fabrikës Azovstal, mohon se është grup fashist apo neo-nazist. Ukraina ka thënë se ky batalion është integruar brenda Gardës Kombëtare.

Marrja e kontrollit të Mariupolit është fitorja më e madhe e Rusisë, qëkur Moska nisi atë që e quan “operacion të posaçëm ushtarak” në Ukrainë më 24 shkurt.

Marrja e Mariupolit i jep Moskës kontrollin e bregdetit të Azovit, që shtrihet në lindje dhe jug të Ukrainës. Por, ky qytet-port është shkatërruar, dhe Ukraina beson se dhjetëra-mijëra persona janë vrarë nga bombardimet ruse në Mariupol.

Ofensiva ruse në lindje, ndërkaq duke se ka bërë pak përparim, edhe pse Kremlini pretendon se të gjitha synimet e saj janë përmbushur.

Të mërkurën, ushtria ukrainase tha se Rusia po vazhdon të bombardojë pozicione përgjatë gjithë vijës së frontit në lindje.

“Në drejtimin e Harkivit, armiku është përqendruar që të mbajë pozicionet dhe të parandalojë përparimin e mëtejmë të trupave tanë”, tha Shtabi i Përgjithshëm ukrainas përmes një deklarate.

Para nisjes së pushtimit të paprovokuar të Ukrainës, separatistët pro-rusë mbanin nën kontroll një të tretën e rajonit të Donbasit, që përbëhet nga Luhansku dhe Donjecku.

Moska tani besohet se kontrollon afër 90 për qind të rajonit të Luhanskut, por ka dështuar që të marrë nën kontroll qytetet kyçe të Slovianskut dhe Kramatorskit në Donjeck.

Forcat ukrainase kanë bërë përparim dhe kanë larguar forcat ruse nga zona përreth Harkivit, që është qyteti i dytë më i madh ukrainas./rel/

/TV Malisheva

Share.