Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shumë shpejt do të ketë përgjigje për faktorin ndërkombëtar për kërkesat për deeskalimin e situatës në veri, tha ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, në konferencën për medie, pas mbledhjes së qeverisë të mërkurën.

“Kryeministri Kurti shumë shpejt do të ketë përgjigje edhe për faktorin ndërkombëtar, për gazetarët dhe për të gjithë opinionin publik të Kosovës”, tha ai.

Ndërsa, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se nëse do të duhej të diskutohej për sanksione, atëherë të njëjtat do të duhej t’i vendoseshin Serbisë për moszbatim të marrëveshjes bazë dhe aneksit të Ohrit.

“Nëse veç do të duhej të diskutohej për sanksione, do të ishte e rëndësishme të diskutohej se çfarë sanksione do të duhej t’i vendoseshin shtetit të Serbisë për shkak se në vazhdimësi ka shkelur marrëveshjet për të cilat jemi dakorduar si dy palë. Duke filluar nga kjo e fundit, marrëveshja e dakorduar në Ohër, të cilën pala serbe refuzoi të nënshkruante dhe shkeljet flagrante që ka bërë në vazhdimësi, si votimi dhe lobimi kundër që ka bërë për ecjen përpara të Kosovës në anëtarësim në Këshillin e Evropës. Pra, konsideroj se çka do të duhej të na brengoste është se cilat sanksione do të duhej t’i vendoseshin shtetit serb. Ne si Qeveri e Kosovës jemi të përkushtuar të punojmë në mbajtjen dhe mbizotërimin e vlerave demokratike dhe kushtetutshmërisë në të gjithë territorin e vendit”, tha ai.

I pyetur për raportimet për një listë të sanksioneve ndaj Kosovës, ministri Murati tha se nuk është në dijeni për një të tillë dhe as për kredibilitetin e saj.

“Nuk jam në dijeni për ndonjë listë të tillë dhe as për kredibilitetin për listat e tilla. Prandaj nuk mund të përgjigjem në lidhje me këtë çështje. Por ajo çka është me rëndësi të theksohet është se pikat ku pajtohemi dhe duhet të pajtohemi të gjithë është se legaliteti dhe ligjshmëria të mbizotërojë në të gjithë vendin, demokracia, parimet e përgjithshme të drejtave të njeriut duet të mbizotërojnë në të gjithë vendin. Këtu kemi pajtueshmëri, për çështje të tjera pastaj janë çështje diskutimesh dhe duhet të shihet se si të veprohet tutje në mënyrë që të kemi një rezultat të kënaqshëm dhe të arrijmë synimet tona sa i përket shtrirjes së demokracisë dhe ligjshmërisë në të gjithë territorin e vendit”, shtoi ai.

Ndërkaq, tha se të gjithë policët që punojnë përtej orarit do të kompensohen, derisa tha se janë ende në diskutime që për kategori të caktuara t’iu paguhet shtesa e rrezikshmërisë.

“Të gjithë policët apo kushdo që merr pjesë në orare të shtuara apo përtej orareve të zakonshme është duke u kompensuar. Ndërsa sa i përket shtesës së rrezikshmërisë që ka qenë përpara, një pjesë e saj është përfshirë në pagë dhe tani jemi në diskutim e sipër për kategori të caktuara që do të mund të përfitojnë. Momentin që përcaktohet dhe vendoset do të ketë kompensim retroaktiv”, deklaroi Murati.

Gjatë kësaj jave në Kosovë qëndruan përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe emisari i Ballkanit Perëndimor, Gabriel Escobar, të cilët paraqitën tri kërkesa për Kosovën, deeskalimi i situatës në veri, organizimi i zgjedhjeve të reja dhe rikthimi në dialog.

/TV Malisheva

Share.