Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, ka thënë se Kosova po e përjeton periudhën më të errët të pandemisë, me shumë humbje jetësh dhe me shumë rrëmujë, e aspak menaxhim dhe rregullsi.

Stavileci në një konferencë për media në konferencë për media, tha se shifrat e rasteve të vdekjeve dhe të infektimeve janë alarmante.

“Shifrat e rasteve të vdekjeve dhe të infektimeve janë alarmante. Ato po shtohen nga dita në ditë me një shpejtësi të frikshme. Pasojat po bëhen edhe më të rënda. Kriza po thellohet dhe tashmë ajo është shndërruar në tragjedi njerëzore. Vetëm në 12 ditët e fundit kemi pasur 24 mijë e 115 raste të reja infektimi dhe 136 humbje jetësh”, tha Stavileci.

Ai tha se qendrat e vaksinimit në Kosovë janë të pakta dhe ato nuk janë shtuar fare në raport me rritjen e rasteve.

“Qendrat e vaksinimit janë të pakta dhe ato nuk janë shtuar fare në raport me rritjen e rasteve. Nuk ka termine të lira për vaksinim dhe nuk ka fare transparencë për sasinë e vaksinave. Gjatë tërë pranverës dhe verës ka pasur vaksinime të pakta. Me muaj të tërë të kaluar e askush dhe asgjë nuk është menaxhuar. Gjatë gjithë kësaj periudhe fronti kundër pandemisë është braktisur dhe tani po shohim pasoja fatkeqe në shëndetësi, siguri, ekonomi e arsim. Spitalet janë buzë kolapsit. Kurse zëvendës kryeministri dhe ministri del se kanë gjetur kohë para disa ditësh që që të diskutojnë për opsionet për zgjerim të kapaciteteve në rast të rritjes së numrit të rasteve, në ndërkohë që rritja është mëse evidente botërisht. Vija e parë e frontit kundër pandemisë, mjekët, infermierët dhe i tërë personeli shëndetësor janë të stërngarkuar e të stërlodhur, por ata janë lënë të vetëm e në distancë nga një qeveri e cila arriti ta disenjojë krizën më të madhe shëndetësore dhe kollapsin e krejt sistemit shëndetësor. Dhe, për ironinë më të madhe të fatit të tyre, jo që u ndihmoi, por i ofendoi me nga 2 euro në ditë”, tha ai.

Stavileci tha se mungesa e menaxhimit dhe pandjesia ndaj kësaj tragjedie ka rritur ankthin e qytetarëve, ka shtuar pasigurinë, ka rënduar ekonominë, ka trazuar arsimin.

Sipas tij, tanimë kemi krizë të katërfishtë dhe morgu i spitalit po mbushet edhe më shumë.

Ai shtoi se qëndrimi në distancë i kësaj qeverie përbën masën më goditëse të saj ndaj secilës familje dhe secilit qytetar, të cilët tash më shumë se kurrë më parë kanë nevojë për dorën e saj.

“Në vend të një plani konkret për parandalimin dhe uljen e dëmeve ajo po praktikon arbitraritetin burokratik e antipoullor të masave. Apatia, indiferenca dhe arroganca, assesi nuk guxojnë të jenë përgjigjja ndaj kësaj situate. Shtimi i qendrave të vaksinimit, krijim të ekipeve mobile të vaksinimit nëpër lagje e fshatra, vaksinim gjatë fundjavës, mundësi të zgjedhjes së qytetit për t’u vaksinuar, fushata ndërgjegjësuese, shtimi i stafit shëndetësor dhe motivim i tij adekuat, duhet të jenë përgjigjja adekuate. Qytetarët nuk mund ta mbajnë të vetmuar barrën edhe të një mbylljeje tjetër, as bizneset dhe punëtorët. As arsimtarët dhe nxënësit. Një menaxhim i munguar do të shkaktojë humbje të reja jetësh, ndërkaq një menaxhim i mirëfilltë do të mund të shpëtonte shumë prej tyre, prandaj kjo qeveri “, tha ai.

Ai i ka bërë thirrje qeverisë që mos të dezertojë nga përgjegjësitë që ka marrë. Derisa ka folur edhe për paralajmërimin se Kurti do të thërras sot pasdite mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Kosovës.

“Prandaj, kjo qeveri, duhet të marrë përgjegjësinë që i takon, të menaxhojë pandeminë, sepse shëndeti i qytetarëve është më i rëndësishëm se pushteti i qeveritarëve. Vaksinimi i merituar është më i drejtë se shtrëngimi i imponuar. Thjesht nuk na duhet dezertim, por menaxhim….ne konsiderojmë se gjithçka që po bëhet tash po bëhet me shumë vonesë dhe ka një tendencë të bartjes së përgjegjësisë aty ku nuk takon të merret përgjegjësia, atë që edhe e thash edhe më herët që gjithçka po na imponohet si rezultat i mungesës së menaxhimit”, tha Stavileci.

Duke u ndalur te fushata zgjedhore e PDK-së, Stavileci tha se gjatë gjithë kohës së pandemisë, PDK dhe të gjithë njerëzit e saj janë munduar t’i respektojnë të gjitha masatë e vendosura dhe të njëjtën do ta bëjnë edhe tani. /TV Malisheva

Share.