Aktet e ndryshme kriminale përfshirë edhe sulmet e shtyra nga grupet politike vazhdojnë të paraqesin kërcënim për sigurinë në Kosovë, kështu ka thënë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili mori pjesë në konferencën ndërkombëtare me temën “Ndërtimi i Reziliencës: Programet R&R për Ekstremistët dhe Luftëtarët e Huaj në Kosovë dhe Itali’ e cila është organizuar nga Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Qendra e Kosovës për Studime të Sigurisë.

Sveçla me këtë rast u shpreh se institucionet e Kosovës ndër vite kanë bërë hapa të mëdhenj në luftimin e radikalizmit dhe terrorizmit, e raportin e publikuar sot konsideroj se do të ndihmoj në njohjen e metodave të reja për parandalim të këtyre fenomeneve.

Ministri i Punëve të Brendshme u shpreh se Kosova ka punuar me qasjen e fortë përmes hetimit dhe arrestimit të personave që u janë bashkuar konflikteve, por edhe me qasjen e butë duke punuar në rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre në shoqëri.

Ai shprehu gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Sveçla: Aktet e ndryshme kriminale vazhdojnë të paraqesin kërcënim për sigurinë në Kosovë

“Terrorizmit dhe ekstremizmi i dhunshëm mbeten ndër kërcënimet më serioze në mbarë globin, përveç ekstremizmit të motivuar nga keqpërdorimet e religjionit që ka qenë prezent deri tani format e tjera të terrorizmit dhe të ekstremizmit të dhunshëm si e djathta ekstreme apo etnonacionalizmi janë në rritje. Aktet e ndryshme kriminale vazhdojnë të paraqesin kërcënim për sigurinë në Kosovë përfshirë edhe sulmet e shtyra nga grupet e ndryshme politike që kanë për qëllim destabilizimin e vendit. Ndaj institucionet tona janë të përkushtuara që mbi bazë të analizave të përshtati format dhe veprimet e tyre për tu ballafaquar me format e reja të ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit. Në këtë kuptim bashkëpunimi mes shteteve dhe institucioneve të sigurisë është esencial në luftimin terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”, tha ai.

Ambasadori i Italisë në Kosovës, Antonello De Riu u shpreh se Kosova pas vitit 2019 përmes qasjes aktive për rehabilitim dhe riatdhesim të personave të përfshirë në konflikte luftërash hyri në fazën e re të luftimin të kërcënimeve potenciale.

De Riu u shpreh se tani duhet fokus më i madh në promovim dhe lehtësim të iniciativave të reja për programe për rehabilitim dhe riatdhesim për të kthyerit.

De Riu: Qasja aktive ndaj këtyre dukurive e vë Kosovën në ballë të përpjekjeve për rehabilitim dhe riatdhesim

“Ky trend ka ndryshuar në vitin 2019 me kthimin e shumicës së luftëtarëve nga Kosova që ishin atje dhe anëtarëve të familjeve dhe fëmijët që kishin lindur në zonat në konflikt. Kosova riatdhesoi një grup të madh të shtetasve nga Siria, e marrja e kësaj qasje aktive të riatdhesimit e vë Kosovën në ballë të përpjekjeve për rehabilitimin dhe riintegrimin e fëmijëve dhe grave të riatdhesuara nga Siria në shoqëri duke hapur një fazë të re në luftimin e kërcënimeve potenciale nga luftëtarët e huaj dhe familjet e tyre. Tani duhet të fokusohemi më shumë në promovimin, nxitjen dhe lehtësimin e iniciativave të reja në terren dhe platformave për pjesëmarrje të qytetarëve dhe për mbështetjen e komunitetit siç janë programet e rehabilitimit dhe riintegrimit për të kthyerit si brenda ashtu edhe jashtë burgjeve, mund të ndihmoj në ballafaqimin më të lehtë me këto probleme”, u shpreh ambasadori italian në Kosovë.

Drejtori i Qendrës së Kosovës për Studime të Sigurisë, Mentor Vrajolli u shpreh se ky projekt ka synim shkëmbimin e përvojave në mes të Kosovës dhe Italisë në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Vrajolli: Projekti ka synim shkëmbim të përvojave në mes Kosovës dhe Italisë për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm

“Kohët e fundit e kemi vërejtur që një ndër fushat të cilat ka pasur më shumë vështirë dhe mungesë të përvojës është rehabilitimi dhe riintegrimi dhe Qendra kohët e fundit fokus të rëndësishëm i ka dhënë kësaj fushe. Në kuadër të këtij bashkëpunimi me partnerët italian qendra ka iniciuar këtë projekt i cili ka qëllim që të shkëmbej përvojat mes Kosovës dhe Italisë sa i përket një njohurie të përbashkët në lidhje me trajtimin sa më adekuat të kësaj teme. Qëllimi është me iu ofruar rekomandime institucioneve të ndryshme sa i përket mënyrës së trajtimit të këtyre problemeve. Mendoj se raporti do tu ndihmoj të gjithëve sa i përket ngritjes së njohurive sa i përket luftimit të fenomenit të ekstremizmit të dhunshëm”, theksoi Vrajolli.

Marco di Liddo udhëheqës i analizave në CeSI u shpreh se përmes këtij projekti synojnë të ngrisin vetëdijen për fenomenin e ekstremizmit dhe shkëmbimin e përvojave për këtë dukuri.

Liddo: Me këtë projekt synojmë të ngrisim vetëdijen për problemet e përbashkëta

“Jemi mbështetës të mëdhenj sa i përket partneritetit mes Italisë dhe Kosovës dhe ky projekt është vetëm një shembull i vogël i asaj çfarë mund të bëjmë dhe çka duhet të bëjmë në të ardhmen. Unë e konsideroj këtë si një pikënisje apo destinacion. Shumë gjëra duhet të bëhen në të ardhmen dhe ne mund të kontribuojmë si forume për nivelin e parë më të rëndësishëm. Ne me këtë projekt kemi vendosur të bëjmë dy gjëra e para të ngrisim vetëdijen për problemet e përbashkëta që gjithmonë janë në hije apo mbesin në hije dhe harrohen nga mediat sepse institucionet tërë kohën merren me emergjenca të reja. Qëllimi i dytë është se nëse problemet janë të përbashkëta duhet të flasim me njëri-tjetrin duhet t’i ndajmë zgjidhjet e përbashkëta sepse vetëm në këtë mënyrë mund të nxjerrim krahasime nga të cilat mund të mësojmë nga njëri-tjetri”, u shpreh Liddo.

Të gjeturat e raportit i prezantuan nga Skënder Përteshi nga QKSS i cili tha se Kosova është shembull për vendet e BE-së për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Përteshi theksoi se programet e veçanta kanë bërë punë të mirë në Shërbimin Korrektues të Kosovës për çështjen e riintegrimit dhe rehabilitimit të personave të kthyer nga zonat e konfliktit.

Ai thekoi se institucionet e Kosovës por edhe programet e ndryshme harruan që të bëjnë ndonjë vlerësim Shërbimi Sprovues të Kosovës i cili luan rol të rëndësishëm në rehabilitim.

Përteshi theksoi se aktualisht është në proces edhe strategjia e re në luftimin e terrorizmit.

Përteshi: Kosova model që mund të përdoret dhe nga vendet BE-s për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit

“Kosova është një model që mund të përdoret dhe nga vendet BE-së kur flasim për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit, dhe po ashtu edhe për zbatimin e programit të trajtimit dhe riintegrimit. Ofrimi i trajnimeve për institucionet e Kosovës ato të drejtësisë në fokus e përfshirë MASHT, Ministria e Drejtësisë, Shërbimi Sprovues dhe Korrektues ku kanë ofruar programe konkrete për rehabilitimin dhe riintegrimin personave të radikalizuar ku kontribut të veçantë kanë dhënë organizatat ndërkombëtare dhe ambasada në Kosovë përmes trajnimeve dhe programeve të rehabilitimit dhe po duket se kanë qenë të suksesshme sepse radhët e recidivizmit të personave që kanë qenë të përfshirë në organizata terroriste dhe përfshirja e tyre e sërishme në këto raste ka qenë shumë, shumë e vogël ka qenë diku 4 apo 5 individë”, theksoi Përteshi.

/TV Malisheva

Share.