Me vendim të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Teatri Kombëtar i Kosovës që nga data 1 korrik ka mbyllur dyert për publikun për shkak të renovimit të objektit.

Me një audiencë prej 1500 personave për shfaqje teatrale, objekti i Teatrit Kombëtar së shpejti do të ketë një renovim të tërësishëm.

Kushtrim Sheremeti, drejtor i këtij institucioni kulturor, thotë se renovimi ka qenë i domosdoshëm pasi një renovim të tillë teatri nuk e ka pasur që nga koha e themelimit të tij.

Ai thotë se përkundër shfaqjeve që kanë pasur në Teatrin Kombëtar, tash gjatë kohës së renovimit të objektit kanë dy hapësira të cilat do t’i shfrytëzojnë deri në përfundimin e punimeve.

Sheremeti: Gjatë kohës së renovimit, kemi dy hapësira për shfrytëzim

“Teatri Kombëtar i Kosovës ka gati për çdo natë shfaqje në skenën e madhe dhe skenën e vogël. Tash në situatë ku nuk e dimë si do ta menaxhojmë për shkak se i kemi dy hapësira, me të cilat po mundohemi ta vazhdojmë punën tonë derisa të kryhet renovimi i teatrit. Njëra prej tyre është amfiteatri i Pallatit të Rinisë, të cilin presim ta adaptojmë dhe ta shfrytëzojmë për skenën e vogël. Në anën tjetër, kemi marrë premtime edhe nga Komuna e Prishtinës që do të mund ta përdorim edhe ish-objektin e kinemasë “Rinia” për nevojat e Teatrit Kombëtar të Kosovës, përkatësisht që aty ta zhvendosim skenën e madhe deri në renovimin e tërësishëm. Kështu që nuk e di se kur do të fillojmë me reportuare. Nga tetori do të mundohemi të kemi reportuaret tona të rregullta dhe prodhimin e shfaqjeve të reja”, thotë ai.

Sheremeti thotë se restaurimi i objektit të teatrit është shumë i rëndësishëm, jo vetëm për komunitetin artistik, por edhe për publikun kosovar.

Sheremeti: Shpresojmë të kthehemi në këtë objekt për shfaqje

“Po, renovimi i teatrit ka qenë i domosdoshëm dhe shumë i rëndësishëm. Ne shpresojmë të jemi të lumtur kur të eliminohen të gjitha problemet që kanë qenë të natyrës teknike, sanitare, dhe mezi presim të kthehemi në këtë objekt dhe të vazhdojmë punën”, tha ai.

Sheremeti flet edhe për bashkëpunimin që ka Teatri Kombëtar i Kosovës me teatrot e rajonit.

Sheremeti: Kemi bashkëpunime të mira edhe me teatrot e tjera të rajonit

Video

“Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë sidomos me Teatrin Kombëtar të Tiranës dhe atë të Shkupit, për shkak që është e natyrshme që të kemi bashkëpunim edhe që e kemi edhe të njëjtën gjuhë që flasim në teatër. Gjuha është faktor shumë i rëndësishëm brenda teatrit, por e kemi edhe audiencën afërsisht të njëjtë që mund të qarkullojë në këto teatro. Përndryshe, Teatri Kombëtar i Kosovës para tre muajve është anëtarësuar në Konventën teatrore evropiane e që është një platformë më e madhe evropiane”, thotë ai.

Pavarësisht mungesës së shfaqjeve teatrale, për publikun nuk kanë munguar aktivitetet kulturore të ndryshme gjatë kësaj sezone.

Sa i përket ndarjes së buxhetit për renovimin e objektit të Teatrit Kombëtar,  është tentuar të merr përgjigje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por kjo e fundit nuk ka kthyer përgjigje./TV Malisheva

Share.