Kryetari i PDK-së Kadri Veseli ka deklaruar se miratimi i Kushtetutës së Kosovës 12 vjet më parë, shënon një moment të rëndësishëm historik për konsolidimin e shtetësisë sonë si dhe për të ardhmen e popullit tonë.
Ai ka thënë se Kushtetuta e Kosovës është ndër më modernet, e cila ka mishëruar praktikat më të avancuara dhe standardet më të larta në Evropë.
“Ky dokument themeltar i shtetit tonë, bazohet te parimi i konstitucionalizmit, një ide evropiane që zanafillën e ka në epokën e iluministëve, të cilët nëpërmjet këtij parimi u përpoqën dhe ia dolën me sukses të kufizonin absolutizmin monarkik. Në thelb të konstitucionalizmit qëndron kontrolli dhe kufizimi i pushtetit, përcaktimi i ndarjes së pushteteve si dhe mbrojtja e të drejtave themelore të njeriut. Prandaj duhet kujtuar ky fakt, sot e në të ardhmen, ndaj kujtdo që manifeston tendenca despotike e autokratike që synojnë ta shkelin sundimin e ligjit në Kosovë. Urime të gjithëve për 9 prillin, Ditën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, shkruan Veseli në Facebook./ Tv Malisheva