Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen deklaroi sot në hapjen e Forumit të 17-të Strategjik të Bled, se presidenti rus Vladimir Putin nuk duhet të fitojë luftën në Ukrainë dhe se BE mbështet integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor, nga i cili varet progresi i rajonit.

Von der Leyen vuri në dukje se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë rajonin dhe se hapat e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë janë shumë të rëndësishëm.

“Miqtë tanë në Ballkanin Perëndimor janë pjesë e familjes sonë evropiane. Prosperiteti i Ballkanit varet tërësisht nga integrimi i rajonit në pjesën tjetër të Evropës. Gjëja më e rëndësishme është që njerëzit e Ballkanit Perëndimor në masë të madhe duan t’i bashkohen Bashkimit Evropian”, tha ajo.

Ajo kujtoi se vitet e fundit ka pasur një ngadalësim të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ursula von der Leyen thekson se BE-ja ka interes strategjik që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të vazhdojnë rrugën drejt anëtarësimit në Union dhe se është e nevojshme të përshpejtohet integrimi ekonomik dhe të forcohet besueshmëria e procesit të integrimit në BE.

Ajo konkludoi se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është edhe stabilitet evropian, ashtu siç është edhe prosperiteti i Ballkanit Perëndimor prosperitet evropian.

Presidentja e KE-së kujton se në fillim të këtij viti Rusia dhe Kina folën hapur për miqësi pa kufij dhe se vetëm pak javë pas kësaj Rusia filloi një luftë në Ukrainë.

“Mesazhi nuk mund të ishte më i qartë. Nëse duam të ruajmë parimet bazë, si vetëvendosja dhe paprekshmëria e kufijve, Putin nuk mund ta fitojë këtë luftë dhe Ukraina duhet të fitojë. Kjo është mjaft e qartë”, tha ajo.

Duke kujtuar se BE-ja vendosi një seri “sanksionesh të ashpra” kundër Rusisë, Von der Leyen njoftoi sanksione të reja dhe më të mëdha, për të cilat beson se do të dëmtojnë aftësinë e Kremlinit për të zhvilluar luftë dhe theksoi se BE-ja do të mbështesë Ukrainën për aq kohë sa të ketë nevojë për të./TV Malisheva

Share.