Plani franko-gjerman, i cili është bërë plan i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është kornizë e re negociuese për Serbinë, tha presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

“Nuk ka progres për ne nëse nuk bashkëpunojmë për këtë çështje”, tha ai në një konferencë për media mbrëmjen e 23 janarit.

Vuçiq deklaroi se diplomatët e huaj i kanë thënë se nëse nuk e pranon planin franko-gjerman, Serbia do të përballet me ndalimin e integrimit evropian, ndalimin e investimeve dhe masat gjithëpërfshirëse në kuptimin politik dhe ekonomik.

“Duhet ta pranoni këtë plan, më thanë”, tha Vuçiq.

Vuçiq tha se i gjithë konteksti evropian ka ndryshuar pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës. “Serbia është në radarin e të gjithëve sepse nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë”, tha ai.

Ai tha se se ky fakt është bërë një nga problemet më të mëdha për Serbinë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në adresimin e tij, ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Albin Kurti, për siç tha futjen në konflikt mes NATO-s dhe Serbisë.

“Ata po kërkojnë konflikt sepse duan që NATO të hyjë në konflikt me Serbinë, në mënyrë që Kurti ta shmangë detyrimin, të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Kjo është e gjithë taktika”, tha Vuçiq.

 

Share.