Ish-kryeministri, njëhëherit lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj thotë se Qeveria duhet t’i publikojë të gjitha shpenzimet që janë bërë në sektorin energjetik që nga 1 tetori i viti që lamë pas.

Haradinaj nëpërmjet një postimi në “Facebook” ka thënë se është e pakuptueshme mjegulla që Qeveria ka krijuar në raport me energjinë elektrike dhe transaksionet financiare rreth saj.

Madje ai ka përdorur edhe një deklaratë të Kurtit i cili ditë më parë në Kuvendin e Kosovës shpjegoi se si është dëmtuar blloku në termocentral.

“Qeveria duhet të publikojë të gjitha shpenzimet që janë bërë në sektorin energjetik që nga 1 tetori 2021. Me këtë nuk nënkuptojmë vetëm ndarjet buxhetore, por tërë energjinë që është blerë nga KESCO/KOSTT (vlera e devijimeve) apo çfarëdo mekanizmi që ka blerë rrymë për Kosovë, si dhe të gjitha kontratat që janë bërë për kthime.

Po ashtu është me rëndësi të posaçme të publikohen emrat e kompanive nga të cilat është blerë rryma dhe metodologjia e kontraktimeve. E pakuptueshme mjegulla që kjo qeveri po krijon në raport me rrymën elektrike dhe transaksionet financiare rreth saj.

E qartë që me bojlerët, filterat dhe lopatat le të merren ata që duan, por qytetarit të Kosovës kjo nuk i intereson. Duam llogaridhënie për paranë publike”, ka shkruar Haradinaj./TV Malisheva

Share.