Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se me sjelljet e Serbisë, në njërën anë dhe të BE-së, në anën tjetër, dialogu po e humb kuptimin, pasi sa po rrjedh koha, ai më shumë po shndërrohet në instrument të Serbisë për të blerë kohë për ti vënë në harresë krimet e saj.

Mustafa ka shkruar në Facebook se Kosova e vlerësoi fjalimin e një deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, pasi ai e tha të vërtetën.

“Por ne dëgjuam edhe betimin e çdo ministri serb , tjerë përveç serbëve nuk ka në “demokracinë serbe” se ” do të jem i përkushtuar ruajtjes së Kosovës e Metohisë brenda Republikës së Serbisë”. Shtrohet pyetja si konvergjon dialogu për marrëveshje gjithëpërfshirëse që rezulton me njohje reciproke me këtë zotim të qeverise serbe! A mundet BE të jap shpjegimin e saj? Kosova është treguar konstruktive karshi dialogut dhe angazhimit të BE-së dhe SHBA-së për këtë proces. Edhe Kryeministri Hoti po tregon përkushtim shumë konstruktiv. Por ky përkushtim i yni, kam përshtypje se nuk po vlerësohet nga BE. Bile ka tendenca të hapen disa tema që janë të njëjtat me ato që janë diskutuar në procesin e Vjenës. Ndërkaq, Kosova e ka shpallur pavarësinë me mbylljen e atyre temave në “Pakon e Ahtisarit”, ka shkruar Mustafa.

Sipas tij, kundërshtimi i vendeve të caktuara të BE-së për liberalizimin e vizave për qytetarë e vendit tonë, edhepse janë përmbushur të gjitha kriteret, më shumë flet për një qëndrim paragjykues të tyre, sesa për parime.

“Ne kemi dëshirë të besojmë se vendet e tilla ia duan të mirën Kosovës. Por kjo ide nuk pasqyrohet përmes politikave të izolimit të qytetarëve të një vendi. Politikat e izolimit nuk përkojnë me demokracinë dhe kulturën evropiane. Ndërkaq ne nuk heqim dorë nga të qenurit evropian, me territor, me arsim, me kulturë e me ekonomi. As vizat dhe as Serbia nuk na ndalin në këtë rrugë”, ka shkruar ai.

Share.