Drenica dhe Prishtina janë dy skuadrat e vetme në futbollin kosovar që nga pas lufta nuk kanë zbritur asnjëherë nga liga dhe që kanë qëndruar në nivelin më të lartë të saj.
Përkundër vështirësive që patën gjatë këtyre 20 viteve, këto dy skuadra kanë arritur të ruajnë me sukses statutin e elitarit, madje duke renditur një varg suksesesh në vitrinat e klubit sidomos klubi nga kryeqyteti i cili ka fituar 7 kampionate, 3 kupa të Kosovës dhe 7 Superkupa.
Në anën tjetër skuadra nga Skenderaj, KF Drenica nuk ka ndonjë trofe të fituar edhe pse njëherë ishte finaliste e Kupës së Kosovës mirëpo aty u mposht pikërisht nga Prishtina në penallti.
Por, sot mund të jetë dita kur edhe Drenica mund ta humb statusin e saj të Superligës. Me 41 pikë të arkëtuara, Drenica momentalisht është në pozitën e 9-të në tabelë, pozitë kjo që dërgon në Ligën e Parë, shkruan ‘Blic’.
Drenica shpreson të arrijë fitore ndaj Dukagjinit dhe se njëra nga skuadrat tjera, Trepça ’89 e Flamurtari të gabojnë për të arritur mbijetesën në Superligë, pëndryshe do të largohej nga Superliga pas 20 viteve.