Ideolog dhe veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare; përfaqësues i lëvizjes për një shtet demokratik në Shqipëri dhe një nga frymëzuesit kryesorë të idesë për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me shtetin shqiptar. Lindi në vitin 1873. Kreu gjimnazin francez në Selanik dhe shkollën e lartë të administratës e njohur me emërtimin “Mylkije” në Stamboll.

U zgjodh tri herë deputet në parlamentin osman dhe mbrojti me forcë të drejtat kombëtare të shqiptarëve. Hasan Prishtina, Ismail Qemali e patriotë të tjerë shqiptarë ishin nismëtarët e organizimit të kryengritjes kundër osmane të shqiptarëve të vitit 1912. Ishte ministër i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Organizator i kryengritjes shqiptare kundër shtetit serb në shtator të vitit 1913. U zgjodh ministër në qeverinë e Turhan Pashë Përmetit gjatë periudhës së mbretërimit të shkurtër të Princ Vidit. Në vitet 1916-1918 bashkëpunoi me autoritetet austro-hungareze me qëllim që të përfitonte nga ndonjë rrethanë e përshtatshme për të realizuar bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ishte një nga drejtuesit kryesorë të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare të Kosovës”.

Në vitin 1921 u zgjodh deputet në këshillin Kombëtar. Drejtoi qeverinë shqiptare për një periudhë disa ditore në dhjetor të vitit 1921. Gjatë viteve 1922-1933 ishte një përfaqësuesit kryesorë të opozitës ndaj mënyrës së qeverisjes së Ahmet Zogut. Gjatë gjithë periudhës së viteve ’20 të shekullit XX ishte një nga ideologët kryesorë të tezës: “Pa Kosovë nuk ka Shqipëri”. U vra në Selanik më 14 gusht 1933. Në vitin 1977, eshtrat e Hasan Prishtinës u sollën në Shqipëri dhe u rivarrosën në Kukës.

/TV Malisheva

Share.