KF Feronikeli ka arritur marrëveshje me trajnerin e njohur malazez, Dejan Vukiçeviq. Zyrtarizimi i tij do të bëhet sot në stërvitje e klubit në Drenas. Për ardhjen e tij në Feronikel pati komente nga më të ndryshmet në rrjetet sociale. Shumë nga komentet ishin kundër, kinse Nikli ka marr një serb për ta drejtuar klubin, por në realitet ai është shtetas malazez, një vend që e ka njohur qysh moti Republikën e Kosovës. Por përveç që është malazez, ai është një sportist i madh, një lojtar dhe trajner i njohur, raporton Indeksonline.

Një sqarim për qytetarët së fundi e ka dhënë edhe zëdhënësi i klubit, Erlind Krasniqi. Ai në një status të postuar në profilin e tij në Facebook ka thënë se çdo tentativë për të ndërlidhur emërimin e Dejan Vukiçeviq me politikën është e kotë dhe nuk i bënë nderë klubit

“Sot bëhet prezantimi i trajnerit të ri të KF Feronikeli, Dejan Vukiçeviq. Ai është malazez, shteti i të cilit e ka njohur pavarësinë e Kosovës që moti. Andaj çdo tentativë për të ndërlidhur emërimin e tij me politikën është e kotë dhe nuk i bënë nderë klubit”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Vukiçeviq, sipas Krasniqit, ka qenë futbollist dhe trajner i shumë skuadrave të njohura dhe shpreson se suksesi i tij do të tregohet edhe në klubin tonë.

“Jemi kampion dhe kampion do të mbetemi!”, ka thënë ai.

Share.