Jurgen Klopp e ka vlerësuar lart paraqitjen e Xherdan Shaqirit në barazimin kundër Manchester Unitedit të dielën në Premierligë, duke thënë se është i lumtur për ndikimin e shqiptarit në skuadrën e tij.
Shaqiri shkëlqeu në paraqitjen e parë si titullar pas lëndimit në barazimin 0:0 me Unitedin në Anfield.
Përfaqësuesi i Kombëtares së Zvicrës luajti titullar për të kuqtë për herë të parë që prej dhjetorit të vitit 2019, pasi shumicën e vitit 2020 e kaloi i lënduar.
Ai luajti 76 minuta në Anfield dhe e mahniti trajnerin e vet me lojën dhe formën fizike në fushë.
“Shaq është në formën shumë të mirë fizike. Mbase ai ka mundur të luante më gjatë, por nuk isha i sigurt, sepse kishte shumë kohë pa luajtur. Por ai luajti shumë mirë, veçanërisht në pjesën e parë. Kjo na ndihmoi shumë. Jam shumë i lumtur për këtë”, tha Klopp.
29-vjeçari nga Gjilani ka kaluar nëpër një periudhë të vështirë në dy sezonet e fundit në Anfield, për shkak të lëndimeve të shpeshta, të cilat ia kanë pamundësuar të luajë mjaftueshëm.
Ai i bëri vetëm 11 paraqitje në të gjitha garat për Liverpoolin sezonin e kaluar.
Shaqiri është riaftësuar plotësisht tani dhe ndaj Unitedit e bëri paraqitjen e nëntë në të gjitha garat këtë sezon dhe do të shpresojë të luajë shumë më shpesh në të ardhmen./TV Malisheva