Pas suksesit madhështor në sportin e xhudos, Kosova ngadalë po e forcon emrin e saj në arenën e sportit, ku gjinia e femrave është duke na bërë krenare.

Pas medaljeve të arta të Nora Gjakovës, Distria Krasniqit e Majlinda Kelmendit në xhudo, boksierja kosovare Donjeta Sadiku i bashkohet femrave me medalje duke i sjellë të bronztën Kosovës.

Sadiku ka arritur ta bëjë historinë në Kampionatin Botëror të boksit që u mbajt në Stamboll të Turqisë dhe është femra e parë që i bashkohet gjeneratës së artë të boksierëve që i kanë sjellë medalje Kosovës.

Në të njëjtën kohe, ky ishte një sukses historik pasi që Kosovës i mungonte medalja në konkurrencën e senioreve për më shumë se 40 vjet.

Sadiku në një intervistë  rrëfen rrugëtimin e saj drejt medaljes së bronztë, ndërsa edhe tregoi për synimet e saja në të ardhmen.

Ajo thotë se çdo gjë ka shkuar siç e kishte planifikuar, dhe se është e kënaqur me këtë rezultat.

“Po ka qenë një rrugëtim i gjatë edhe kam pasur shumë emocione, mirëpo gjithçka ka shkuar ashtu siç e kam planifikuar, normal kam dëshiruar edhe më shumë, por jam e kënaqur me këtë rezultat”, tha Sadiku.

Po ashtu, Sadiku nuk e konsideroi shortin e saj në këtë Botëror të lehtë, ndërsa për suksesin e saj e falënderoi trajneren e saj, Mariola Sallauka.

“Shorti nuk do të thosha se ka qenë më i miri, sepse kam pasur përballë një boksiere e cila ka marrë pjesë në Olimpiadë dhe ka humb për medalje. Mirëpo ka ndikuar shumë trajnerja ime Mariola Sallauka, të cilës i jam falënderuese gjithmonë. Nuk kam pasur emocione, kam qenë ndryshe si me teknikë si nga ana psikike, dhe jam falënderuese gjithmonë”, tha Sadiku.

Më tej, Sadiku foli edhe për rëndësinë e kësaj medaljeje, ndërsa u shpreh krenare se ka arritur ta shkruajë historinë në boksin kosovar.

“Kjo medalje është shumë e rëndësishme dhe jam shumë krenare që kam arritur të sjellë këtë medalje dhe të shkruaj historinë për boksin e Kosovës”, tha Sadiku.

Donjeta tregon se medalja e bronztë vetëm sa do ta motivojë edhe më shumë për garat e saja të ardhshme, ndërsa suksesin e arritur ia dedikon Kosovës.

“Këtë sukses ia dedikoj të gjithë Kosovës”, tha Sadiku.

Për fund, Donjeta tregoi se çfarë e pret atë pas këtij Botërori, ku tha se synimi i saj do të jetë që medalja e artë.

“Pas Botërorit kam gara të shumta, kam Lojërat Mesdhetare, Kampionatin Evropian, dhe besoj që këtë medalje bronzi ta kthejmë në të artë”, tha Sadiku.

Ndryshe, Donjeta Sadiku për suksesin e saj të madh ka marrë urime nga presidenti i Federatës së Boksit të Kosovës (FboxK), Enver Krasniqi, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) Ismet Krasniqi dhe zëvendës-ministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Daulina Osmani.

Share.