Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se plani franko-gjerman, i tillë çfarë është sot, nuk duhet të pranohet nga asnjë subjekt politik në Kosovë.

Ai në emisionin Pressing tha se plani franko-gjerman i është prezantuar nga kryeministri Albin Kurti, porse shtoi se si i tillë nuk bën të pranohet.

“Jo sinqeriteti i kryeministrit se kinse evropianët s’po dojnë me fol për planin evropian, në fakt është krejt e kundërta. Krejt shtyrja e targave për 10 muaj ka qenë që të jetë në fokus plani franko-gjerman. Por ka qenë një gabim i qeverisë, sepse s’mund të jenë targat më të rëndësishme se njohja e ndërsjellë… Ashtu si është sot plani franko-gjerman, unë besoj se nuk do të pranohej nga askush”, ka thënë ai.

Derisa foli për marrëveshjen për targa e cila u arrit të mërkurën mbrëma, ai tha se fokusi i Qeverisë së Kosovës ka qenë i gabuar, pasi sipas tij, targat nuk janë më të rëndësishme sesa marrëveshja përfundimtare.

Krasniqi tha se kishte kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të mos i refuzonte shpesh kërkesat dhe këshillat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai ka thënë Kurti i dëgjoi me vonesë këshillat amerikane, prandaj, sipas tij, ai tani nuk di se si ta arsyetojë marrëveshjen e arritur për targat në Bruksel.

Sipas tij, edhe dialogu ka degraduar me ardhjen e Qeverisë Kurti në pushtet.

 

Share.