Lute e deshperueme
Ju qi keqas t’vorrosun keq fleni ndër murrana
mbi shpate t’pjerrta a n’pyje, n’breg deti ase n’breg lumi,
dëshmor’, q’emën t’lavdishëm keni thadrue n’gojdhâna,
nën dhe me gjak t’uej t’rímun idhnin nuk u a shuen gjumi.
Ju qi n’vorre t’vetmueme keq fleni e nuk pushoni
e as deka varrt e shtatit nuk thau as nuk u a mbylli,
qi eshtnat vrik ju dridhen kur del nji zâ nga pylli,
a kur nji zhapllim’ hapash perbrî murán’s ndëgjoni,
ju qi n’msime fisnike t’lahutës jeni rritun,
ju qi burrnín jetike e patët si mësuese,
ju qi lirín kreshnike zgjedh’ e kishi për nuse,
ju qi n’mprojen e nderit botën keni çuditun,
sot n’murána t’harrueme kërkoni kot pushimin:
ju qi epopé t’panjoftun shkruet me gjakun e kuq,
plot vrumulisje n’eshtna rrini tue bluem idhnimin,
fatosa orzez, per flijen e jetës q’u shkoi huq.
U rrzuet tue rrokun armën dhe u rrzue me jue edhe fisi;
ato q’atdheut i kjenë ndër mote gardh çeliku,
parzmat vigane t’ueja, jo, nuk i mposhti anmiku
por nama e fatit, nama qi befas mbi ne krisi.
N’heshtim t’natës shqiptare s’ndëgjohet kund zâ njerit,
pran’ votrës s’fikun nanat n’vaj nuk e njomin bukën,
por me sy t’papërlotun plot shkndîja mníje, struken
tue prit’ furín ahmarrse qi t’thej’ t’primunt e mnerit.
Jo vaj por gjamë e ahte prej pyjesh sjell jehona,
zhumhura e rrebtë e lumit kushtrim zâ-mbytun ngjanë,
shpirtnat errson e ballet vrugon, ndìell mort zezona
q’atdheut palcët gjallnuese mâ t’mshefta po i a thanë.
O Perëndí, na token pranuem qi Ti na fale,
n’te tash tridhet’ qindvjeta na u end e ndershme jeta,
jetuem m’kto troje t’vobta, n’kto brigje t’thata e t’shkreta,
ngujue larg botës tjetër tue ruejtun dhén mbi male.
Me mzi strehueme trupin nga shiu e breshní e mardha,
n’kasolle e stane t’brishta qi shpërthejshin duhínat,
pa díjt’ qejfet e holla, pa díjt’ ç’janë miradinat
pa njoft’ doket e lmueta të kombeve fatbardha.
E, pra, t’ushqyem n’kto gryka me bukë kollomoqe
qi e zbutshim n’uje të kronit, s’lypshim kurrgja mâ shum,
sepse bylmet na kishim nji lirí t’thjesht’, t’pashoqe,
qi me hiret e veta na e bânte gjakun t’lum.
Nanat me qumsht’ të pastër ândjen n’shpirt t’on dikojshin
me fluturue si shqipe në qiell t’nderit shqiptar,
n’flakë t’dokeve m’u kndellun e n’zjarrm t’buzmit bujar
qi kobin e zvetnimit nga votra na e largojshin.
O Perëndí, ndër shekuj ûja buzën na zverdhi,
shpesh u errëm pa hângër bukën m’e ruejt’ për fmín
e mitun q’ish n’e rritun, por n’qe se ‘i mik në shpín
na msyni, i a vûm para at buk mikut kur erdhi.
Pse kshtu na e randon jetën me dhunë e me krajata?
Lirín e dy gishta nderi n’shtek t’ballit: s’kishim tjetër:
kto dy të mira zdritshin vobeksín t’on’ të vjetër.
Po pse, o i Lumi i Qiellvet, na i rrmbeve kto dhurata?
Dëshmorve u dridhen eshtnat n’vetmina plot murána
e qetí n’vorr nuk njofin as tash qi ata kan’ vdekë;
e, pra, gjat’ jetës luta T’naltuen, Zot, n’qiell’t e gjana
e n’shekull udhën t’Ande përhera shkuen tue ndjekë.
Pse nuk i a kput’ Ti kombit vargun e ditve t’zeza?
pse nanave kërcuna, mbështjellun n’futa zíje,
s’i a zbardh’ ftyrat e zemrat me nji rreze liríje?
Pse nuk i fal’ dëshmorve nji gjum’ të qet’ n’vorreza?
Ernest Koliqi, 28 nanduer 1967

Share.