Gareth Southgate thotë se bollëku i talenteve të Anglisë në mbrojtje është arsyeja pse Ben White nuk mori ftesë për grumbullim me “Tre Luanët”.
White nuk është përfshirë në skuadrën e Southgate për ndeshjet kualifikuese drejt Kampionatit Evropian Euro 2024 kundër Italisë dhe Ukrainës, ku para tij janë ftuar emrat si Reece James, Kieran Trippier dhe Kyle Walker, raporton TV Malisheva.
White u largua në mes të Kupës së Botës në Katar, për arsye personale të cilat ende mbeten të paditura.
Që nga ajo kohë, White ka qenë ndër lojtarët kyç në mbrojtjen e Arsenalit këtë sezon, me “Topçinjtë” që janë lider të Premier Ligës, dhe 25 vjeçari e gjeti golin e parë të sezonit në fitoren 3:2 të skuadrës së tij ndaj Bournemouthit.
“Me Ben… është e ngjashme me Ben dhe Trent (Alexander-Arnold) me të vërtetë, tre djemtë që janë në krahun e djathtë, ne i kemi përpara atyre të dyve”, tha Southgate.
“Ne jemi të bekuar në atë pozicion me bollëkun e talentit. Është pozicioni më i vështirë për t’u zgjedhur, ndonëse nuk është kurrë kriter i drejtpërdrejtë dhe gjithmonë po zhvendoset pak nga forma gjithashtu”, shtoi më tej Southgate.
Southgate ka përfshirë në grumbullim edhe Ivan Toneyn, pavarësisht se ylli i Brentfordit po përballet me një suspendim nga futbolli, për shkak të thyerjes së rregullave për baste të Federatës së Anglisë.
/TV Malisheva