Kina tha se do të “kundërshtonte fuqishëm” çdo shitje të detyruar të TikTok, në përgjigjen e saj të parë të drejtpërdrejtë ndaj kërkesave të administratës Biden që pronarët kinezë të aplikacionit të shesin pjesën e tyre të kompanisë ose të përballen me një ndalim në tregun e saj më të rëndësishëm.
Komentet erdhën teksa drejtori ekzekutiv i TikTok, Shou Chew dëshmoi para ligjvënësve amerikanë në mes të shqyrtimit në rritje mbi lidhjet e aplikacionit me Pekinin. Ministria e Tregtisë e Kinës tha të enjten se një shitje e detyruar e TikTok do të “dëmtonte seriozisht” besimin e investitorëve globalë në Shtetet e Bashkuara.
“Nëse lajmet për një shitje të detyruar janë të vërteta, Kina do ta kundërshtojë atë me vendosmëri”, deklaroi Shu Jueting, një zëdhënëse e ministrisë, në një konferencë shtypi të enjten në Pekin, duke shtuar se çdo marrëveshje e mundshme do të kishte nevojë për miratim nga qeveria kineze, raporton CNN.
“Shitja e TikTok përfshin eksportin e teknologjisë, dhe procedurat e licencimit administrativ duhet të kryhen në përputhje me ligjet dhe rregulloret kineze”, tha ajo, duke shtuar: “Qeveria kineze do të marrë një vendim në përputhje me ligjin”.
Më parë, Pekini nuk kishte opinion të drejtpërdrejt mbi një shitje të mundshme të detyruar. Megjithatë, duke filluar nga viti 2020, ajo kishte sinjalizuar se donte të mbronte teknologjinë kineze duke shtuar algoritme rekomandimi, të cilat mund të përfshijnë TikTok, në një listë teknologjish të kufizuara për eksport.
Algoritmet e TikTok, të cilat i mbajnë përdoruesit të mbërthyer pas aplikacionit, besohet se janë çelësi i suksesit të tij. Algoritmet japin rekomandime bazuar në sjelljen e përdoruesve, duke u shfaqur kështu videot që në të vërtetë ata i pëlqejnë dhe duan t’i shikojnë.
Rregullatorët kinezë së pari shtuan algoritme në listën e kufizuar të teknologjive në gusht 2020, kur administrata Trump kërcënoi se do të ndalonte TikTok-un në SHBA nëse nuk shitej.
Analistët dhe ekspertët ligjorë besojnë se Pekini në fund të fundit mund të preferojë që TikTok të largohet nga tregu amerikan në vend që të tërhiqet nga algoritmi i tij. /TV Malisheva